“100 mijë qytetarë jetojnë në varfëri”! Zaev: Asnjë qytetarë s’do ngelet pa kujdes

Lypsar në cdo hap tek Ura e gurit. Plot të tillë ka edhe nëpër Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe jo vetëm. Gjendjen financiare të qytetarëve e ka përkeqësuar edhe më shumë Covid-19.
Rezultati i një studimi nga Instituti Finance Think tregon se pandemia bëri që edhe 100 mijë qytetarë të tjerë në vend, të jetojnë në varfëri. Thuajse 500 mijë qytetarë e kalojnë ditën me më pak se 130 denarë dhe 25 mijë të tjerë të jetojnë me 44 denarë në ditë.

Nga i njejti institut vlerësojnë se të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare dhe qytetarët që punojnë me paga të ulëta janë më të prekurit nga situata.

Në ditën botërore të luftës kundër varfërisë kryeministri i vendit Zoran Zaev nëpërmjet një video-incizimi iu drejtua qytetarëve, duke premtuar se nuk do të lejojë që asnjë qytetarë të mbetet pa kujdes.

“Kartela pagesore në vlerë prej 6000 den do të marrin prindërit vetushqyes, pensionistët me pensione deri ne 15 mijë denarë dhe të papunët. Këtu përfshihen mbi 85 mijë familje, që do të sigurojnë nevojat shtëpiake. Kujdesi vërehet në krizë. E ne nuk lejojmë që ndokush të ngelet pa kujdes. Lufta me varfërinë është e përbashkët, dhe bashkë do ta udhëheqim, derisa nuk sigurojmë jetë më të mirë për të gjithë”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër.

Pas kësaj deklarate i menjëhershëm ishte reagimi i i VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti akuzojnë kryeministrin Zaev se e varfëroi vendin dhe se pakot ekonomike nuk kanë pasur efekt.

“Mbi 40,000 qytetarë humbën vendet e tyre të punës gjatë pandemisë.

Pakoja e katërt e masave, si të gjitha ato të mëparshme gjatë krizës së koronës ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme, LSDM i la në baltë mbi 14,000 ndërmarrje të vogla për tu përballur vetë pa asnjë të ardhur.

Në Ditën Botërore për Luftën kundër Varfërisë, LDSM mund të mburret me mbi 450 mijë qytetarë që janë në prag të ekzistencës”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Sipas opozitares VMRO-DPMNE qeveria Zaev e ka rritur varfërinë për 6%. Këtu nuk lanë pa përmendur edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 7.4%.