Mimoza e mban fjalën, rrënon objektet pa leje në qytetin e Gjakovës

Komuna e Gjakovës ka nisur sot rrëzimin e katit të dytë të një objekti biznesor në bërthamën e “Çarshisë së Madhe”, në bazë të një vendimi që më parë e kishte marrë kjo komunë.

Objekti biznesor që gjendet në mjedisin e njohur si “Lama e Drithit”, dhe në këtë mënyrë si arkitekturë nuk përkon me trashëgiminë kulturore historike dhe është ndërtuar kundër ligjeve të kësaj kategorie.

“Ky aksion është ndërmarrë pas disa bisedimeve, konsultave dhe shtyrjeve të afateve për rrënim, dhe duke konstatuar se pronarët nuk reagojnë me vullnetin e tyre për vetrrënim, ka ardhur deri te reagimi i Komunës”, thuhet në njoftimin e kësaj komune, transmeton koha.net. Aty është bërë me dije gjithashtu se gjatë këtij aksioni, ka pasur reagime nga më të ndryshmet nga ana e familjarëve, të cilët edhe kanë rezistuar për mosrrënim duke cenuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët ishin prezent duke u ofruar siguri në punë inspektorëve dhe zyrtarëve të tjerë komunal.

“Me këtë rast janë arrestuar tre persona ndërkohë që familjarët përmes metodave të ndryshme vazhdimisht refuzonin, deri me kanosje për cenimin e tyre (të vet) jetësor”, thuhet në këtë njoftim.

Aksioni i cili është duke vazhduar do të jetësohet ndërkohë që Komuna e Gjakovës apelon tek të gjithë ndërtuesit të cilët objektet e tyre i kanë të ndërtuara pa leje dhe që u ka skaduar çdo afat kohor, të ndërhyjnë me vullnetin e tyre në rrënimin e atyre objekteve, përndryshe Komuna bën të ditur se është e vendosur që aksionet e tilla të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme dhe çdo ndërtues ilegal do të përballet me pasoja