Kosovë, politika uron Fiter Bajramin

Liderat e partive politike në Kosovë, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar ditën e Fitër Bajramit, duke dëshiruar paqe, dashuri mirëkuptim dhe solidaritet mes njerëzve.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë vizitës së saj bërë Bashkësisë Islame të Kosovës, uroi gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, duke thënë se Kosova është vend i paqes dhe harmonisë fetare:
“Kjo festë është festa më e rëndësishme e besimit mysliman, e cila simbolizon paqen dhe mirëkuptimin. Të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës, të gjithë besimtarëve mysliman, iu uroj festen e bajramit, që këtë festë ta shënojmë në paqe, në mirëkuptim, në dashuri me njëri tjetrin, në solidaritet dhe në mirëqenie. Kosova shteti ynë është dëshmuar që është një vend i paqes dhe harmonisë fetare. Kjo liri fetare është pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut”, pohoi Jahjaga.
Kryeministri Hashim Thaçi: Toleranca fetare, politike dhe qytetare në vend, të mbizotërojë gjithmonë
“Dëshiroj edhe njëherë, të gjithë besimtarëve në emër të qeverisë së Kosovës, t’ju uroj në këtë ditë të shenjtë të Fitër Bajramit, në këtë ditë të respektit të ndërsjellë, tolerancës dhe mirëkuptimit, dashurisë dhe paqes. Uroj të ketë çdo herë tolerancë të tillë, fetare, qytetare politike në Kosovë. Uroj që dhe në këtë ditë të shenjtë, të kujtojmë dëshmoret e kombit, të kujtojmë heronjtë, të kujtojmë sakrificën tonë dhe natyrisht të gjithë të bashkuar të marrim energji për të ardhmen, për ndërtimin e shtetit tonë me të fuqishëm”, tha Thaçi.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa: Të harrojmë politikën, të bëhemi bashkë në këtë ditë
“Është një ditë e cila na bashkon ne të gjithëve, e cila na nxjerr në një horizont krejtësisht tjetër të bashkëpunimit dashurisë , të hulumtimeve tona të përbashkëta, për një jetë më të mirë, familjare dhe sociale. Është një ditë, në të cilën ne harrojmë politiken, sepse fillojmë të mendojmë për më të afërmit tanë dhe për njerëzit me të cilët kemi punuar dhe punojmë shumë. Prandaj është një mesazh i joni që këtë ditë ta shfrytëzojmë që ne të bëhemi bashkë, që ne të punojmë bashkë, për të mirën e vendit dhe të mirën e njerëzimit”, tha Mustafa.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj: Fiter Bajrami, festë e bamirësisë, ndjenjës dhe solidaritetit
“Sot së bashku me koleget e mi, myftiut Naim Tërnava, Bashkësisë Islame, gjithë kolegëve, besimtarëve shqiptarë dhe gjithë besimtarëve të tjerë në Kosovë , ju uroj festen e Fitër Bajramit, të jetë një festë sa më e ngrohtë në familjet tona. Të gjithë ne të festojmë me porosinë, që kjo festë të jetë e bamirësisë, e ndjenjës dhe solidaritetit të ndërsjellë”, tha ai.
Lideri i VV-së, Albin Kurti: Më shumë përkushtim dhe solidaritet shoqëror
“Ne si delegacion i Lëvizjes VV ju urojmë Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve të tjerë. Në mënyrë që në këtë ditë të përkujtojmë rëndësinë e përkushtimit shpirtëror, duke theksuar qe njerëzit jo vetëm që duhet të bëjnë vepra të mira, por në të njëjtën kohë duhet që edhe t’i ndihmojnë ata të cilët kanë nevojat më të mëdha. Fitër Bajrami, na orienton tek përkushtimi shpirtëror dhe tek solidariteti shoqëror”, tha Kurti.