Modeli opozitar i Kosovës nuk funksionon në Maqedoni

Në Maqedoni do të ishte vështirë që të realizohej një nisë e ngjashme me bashkimin e partive opozitare në Kosovë për të mos lejuar formimin e Qeverisë nga partia aktuale në pushtet.

Partitë opozitare këtu kanë retorikë të ashpër ndaj njëra-tjetrës, shpesh përdoren fjalë më të akuzuese sesa fjalori ndaj partive në pushtet. Analisti politik Ismet Ramadani ka thënë se modeli i partive opozitare në Kosovë nuk do të ishte krejtësisht i mundshëm në Maqedoni, pasi këtu është problemi se nuk ka disa parti parlamentare opozitare.

Ai thotë se në zgjedhjet e fundit doli vetëm një pari opozitare, ndërsa RDK-ja u tërhoq. Sipas Ramadanit, po të kishte 2-3 pari opozitare, do të merrej si model veprimi i opozitës në Kosovë.

“Por, në Maqedoni ka vetëm pretendim për të hyrë në Qeveri, të cilën e udhëheqin të tjerët. Këtu mbaron gjithçka. Këtu edhe opozita maqedonase edhe opozita shqiptare është e çorientuar, nuk është e gatshme që të bashkëpunojë si opozitë. Ka plot raste kur partitë opozitare më shumë sulmojnë njëra tjetrën, sesa kanë cak dobësitë e partive në pushtet”, ka vlerësuar Ramdani.

Profili i opozitës në Maqedoni është dobësuar dukshëm edhe pas zgjedhjeve të fundit kur dy partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI u konfirmuan dukshëm si partitë më të fuqishme në kampin maqedonas dhe shqiptar.

Në një prononcim të mëhershëm analisti politik Alajdin Demiri ka theksuar se Maqedonia pas zgjedhjeve të parakohshme ngadalë po hyn në një dimension të një totalitarizmi të ri.

Ai mendon se kësaj radhe bojkoti i LSDM-së ka mundësi që të përcillet edhe me ashtuquajturën “demokraci të rrugës”, ndërsa kjo në tërësi e dëmton demokracinë në Maqedoni dhe e bën jofunksional Parlamentin.