Ahmeti: Ivanov nuk është president i shqiptarëve

Deklarata bëhet nga lideri i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka theksuar se shumica absolute e shqiptarëve nuk ka votuar në zgjedhjet presidenciale dhe nuk ndjehet e përfaqësuar nga Presidenti aktual të cilit i mungon legjitimiteti i votës shqiptare.

“Në zgjedhjet Presidenciale të 13 dhe 27 prillit, shqiptarët u përcaktuan kundër konceptit të zgjedhjes së Presidentit njëpartiak dhe u përcaktuan për konceptin e konsensualitetit, pajtimit dhe të përfaqësimit të barabartë në institucionin e Presidentit. Në mungesë të legjitimimit nga ana e elektoratit shqiptar, presidenti aktual nuk mund të pretendojë që i përfaqëson edhe shqiptarët dhe të sjell vendime edhe në emër të tyre”, theksoi Ahmeti pas një takimi me ambasadorin amerikan në Shkup, Poll Volers.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tetovë, kryetari Ahmeti gjithashtu foli edhe për nevojën imediate të reformimit të gjyqësorit që të krijohen parakushte për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj drejtësisë. “Ngarkesat e disa gjykatësve dhe prokurorëve të caktuar po i vështirësojnë edhe reformat në sundimin e ligjit, por edhe bashkëjetesën dhe marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare”, tha ai.