Shaban Arsllani ka “uzupuar” Parlamentin Studentor

usht_ja_me_objekt_me_modern_un

Ka kaluar një muaj tashmë dhe ende asnjë përgjigje nga autoritetet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, lidhur me detyrimin e studentëve për të paguar nga 100 denarë shtesë, për Parlamentin Studentor. Unioni i Studentëve e denoncoi këtë çështje për ALSAT, për shkak edhe të kërcënimit që paraqitej në njoftim, se në rast të mos kryerjes së pagesës, asnjë student nuk do i merrni indekset e notave. ALSAT kërkoi përgjegjësi për këtë çështje, për shkak se askund në statut apo rregullore të tjera shtesë mbi punën e USHT-së diktojnë pagesa, e aq më pak kushtëzime për studentët. Jo vetëm që autoritetet heshtën, por situata nuk u komentua as nga Parlamenti Studentor, kryetar i të cilit është Shaban Arsllani. Edhe sot, Arllani, i cili si i zgjedhur i studentëve ka për detyrë përfaqësimin e tyre në vendimmarrjen e USHT-së, iu shmang prononcimeve para kamerave. Nga Qendra për Informim e USHT-së, thanë shkurtimisht përmes telefonit se 100 denarët e kërkuar, merren në mënyrë shumë ligjore; ky vendim është marrë në konsultim me studentët dhe se për të nuk ka pasur reagime negative. ALSAT kërkoi prononcim më të detajuar edhe nga Rektori i Universitetit, por pasi pranoi për deklaratë, ai ndryshoi mendje duke thënë se është tepër i zënë, dhe se kishte menduar se bëhej fjalë për një tjetër televizion që kishte dashur t’i jepte prononcim. Por problemi i 100 denarëve nuk është i vetëm në USHT. Është edhe ai i postit të kreut të parlamentit studentor i cili drejtohet nga “veterani” Shaban Arsllani, i cili i ka filluar studimet në USHT që në vitin 2005, në fakultetin ekonomik, dhe pas disa protestave që u bënë aso kohe në USHT, ai erdhi sërish në krye të parlamentit studentor. Edhe pse mandati i kryetarit të Parlamenteve studentore zgjat vetëm 4 vjet, Shaban Arsllani gjendet në këtë post për 6 vjet me radhë, dhe zgjedhjet që duhej të mbaheshin në 2013-ën, nuk u organizuan. Për ta mbajtur këtë post, Arsllani, megjithë përfundimin e studimeve, regjistroi edhe një tjetër fakultet. Sipas disa informatave jo zyrtare, Arsllanit këtë komoditet në karrigen e parë të studentëve, ia mundësojnë lidhjet familjare që ai ka me disa funksionarë të qeverisë aktuale. Përpjekjet e studentëve për ta ndërruar atë apo për të organizuar zgjedhje të reja, kanë dështuar disa herë. Këtë revoltë të studentëve, shpesh e hasim edhe nëpër profilet e tyre në rrjetet sociale. Për studentët, kreu i Parlamentit Studentor nuk është legjitim.

“Jam kundër pagesës për Unionin Studentor, i cili nuk është zgjedhur nga studentet, pra nuk ka pëlqimin e studenteve dhe nuk reagon kur shteti i ndan 90% të parave, Universitetit të Shkupit “Kirili e Metodij” ndërsa vetëm 10%, USHT-së. Një Union Studentor i mirëfilltë duhet që çdo ditë ta ngrejë zërin e tij kundër kësaj padrejtësie, sepse tatimet tona ndahen në mënyrë të padrejtë. Nëse me të vërtet e do kaq shumë USHT-të, atëherë bëju bashkë me ne në mënyrë që të zgjedhim një Union Studentor të mirëfilltë, i cili do të reagojë për çdo padrejtësi që i ndodh USHT-së”, shkruan një student i USHT-së.

Ndërsa në një tjetër koment, thuhet:

“Tani do filloj vitin e tretë, pra ka dy vjet që e kërkoj Statutin dhe Rregulloren e USHT-së, por nuk mund ta gjej askund. E kam kërkuar tek Senati, tek Rektorati, tek Dekanati, tek Profesorët, tek Unioni Studentor, madje se fundmi isha edhe te Avokati i Popullit, por nuk arrita ta gjeja me gjithë faktin se çdo student është i obliguar të njihet me rregullat e universitetit ku studion. Prandaj, them se Unioni Studentor i tanishëm është jo-ekzistues, i pavlefshëm dhe duhet ndërruar”.

Por, me gjithë këto reagime revoltuese Parlamenti Studentor vazhdon të qëndrojë indiferent dhe të mos organizojë zgjedhjet e rregullta. Bashkim Sulejmani-AlsatM