Fetai për Zhurnal: Ultimatumi i Ahmetit është për ta shpëtuar Maqedoninë

milaimfetai

Shkup, 27 prill – Tre ditët e ardhëshme janë vendimtare për Maqedoninë, kriza politike doemos duhet të përfundoj, pasi në të kundërtën shteti mund të destabilizohet me përmasa të paparashikueshme.

Kështu e komenton për Zhurnal, profesori universitar, Milaim Fetai, ultimatumin e fundit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se tani është momenti më kritik kur partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM duhet të arrijnë kompromis mes vehte me qëllim që të hapin rrugën drejtë zhbllokimit të krizës politike, në të kundërtën rrezikohet stabiliteti dhe ardhmëria evropiane e Maqedonisë.

“Thirrja e fundit të Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti është një thirrje që e tregon seriozitetin e përgjegjësisë që e ka faktori politik shqiptar dhe ai vet ndaj stabilitetit brenda shtetit, ndaj marrëdhënieve ndëretnike por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Me të vërtetë nëse liderët e dy partive politke maqedonase nuk vetëdijësohen me qëllim që ti tejkalojnë interesat e ngushta partiake, z. Ahmeti me të drejtë e ka se Maqedonia rrezikohet të hyjë në një fazë të krizës edhe më të thellë që do ti vë në rrezik disa çëshjtje. Së pari do të rrezikohen integrimet Euroatlantike të vendit, së dyti shteti do të hyjë në fazën e izolimit, embargos dhe sanksioneve shumë serioze nga BE dhe SHBA-të si dhe së treti vendi rrezikon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike që do të jetë shumë e rrezikshme për shkak se pritjet e qytetarëve shqiptar në Maqedoni janë antarsimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO përcaktime strategjike pas të cilave rreshtohen mbi 90% e shqiptarëve sipas rezultatve të gjitha sondazheve të hulumtimit të opinionit publik“, ka deklaruar profesori, Fetai duke shtuar se kjo deklaratë e Ahmetit po dëshmon qartë vizionin e tij dhe përgjegjësinë e tij politike që Maqedonia të ecë drejtë rrugës euro-atlantike dhe të shpëton nga një destabilizim i mundshëm si skenaret e përgjakshme të Ukrainës.

“Prandaj edhe ata që thirren në interesa të ngushta partiake duke i harruar pasojat rrezikojnë që të jenë bashkëpërgjegjës për krizat e thella që shumë shpejtë e presin Maqedoninë. Z. Ahmeti deshi të thotë se akoma ka mundësi që me vullnet të mirë politik që të rikthehet demokracia në Maqedoni dhe atë nëse dy liderët maqedonas bëjnë kompromis dhe nëse kryetari Ivanov jep dorëheqje, vendi mund të shkojë drejtë mundësisë së stabilizimit. Kjo pra është një vizion dhe përgjegjësi e hatashme e liderit Ali Ahmeti për të mirën e shqiptarëve dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit, zgjidhja pra është shumë sublime me shumë përgjegjësi“, ka përfunduar për Zhurnal, profesori Fetai.

Ndryshe, dje kryetari i BDI-së, Ahmeti pas takimit me Ambasadorin norvegjes në Shkup, nuk pati retorikë diplomatike, por tha shkurt dhe qartë, tha se dy partitë politike maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE urgjentisht të gjejnë kompromis, në të kundërtën Maqedonia do të gjendet në një situatë jo të favorshme politike.