Sot shënohet 11 tetori, dita e kryengritjes antifashiste

11tetor

Shtatëdhjetë e pesë vite nga fillimi i kryengritjes antifashiste dhe Luftës Nacional-Çlirimtare sot në Republikën e Maqedonisë do të shënohet me disa manifestime të organizuara nga Qeveria, Kuvendi, Lidhja e Luftëtarëve dhe komunat Prilep e Kumanovë.

Manifestimi kryesor do të mbahet para Përmendores së Çlirimtarëve të Qytetit të Shkupit, në oborrin e Qeverisë. Kurora me lule do të vendosin delegacione të Lidhjes së Luftëtarëve i kryesuar nga Nikolla Stojanovski, të Qeverisë nga kryeministri Zoran Zaev, të Kuvendit i kryesuar nga deputetët Juliana Nikollova dhe Dime Vellkovski, delegacion i ARM-së i kryesuar nga zëvendës-shefi, gjeneral-majori Muhamet Racaj, si dhe delegacione tjera të institucioneve shtetërore dhe nga kori diplomatik. Janë paraparë edhe fjalime të shkurtra të Zaevit, Racajt dhe Stojanovskit, si dhe performancë e Orkestrës ushtarake të ARM-së.

Tradicionalisht me rastin e festës, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në mesditë do të ndahet çmimi shtetëror “11 Tetori”. Fitues të sivjetmë të çmimit për vepër jetësore janë artisti Vllatko Stefanovski në sferën e kulturës dhe artit  ndërsa historiani prof.dr. Amet Sherif – në sferën e arsimit.

Më 11 Tetor të vitit 1941 luftëtarët nga Aradhat e para partizane të Prilepit e sulmuan patrullën policore bullgare dhe rrjetin telefoniko-telegrafik në Prilep, gjë që e shënoi fillimin e kryengritjes së organizuar të popullit maqedonas kundër okupatorit bullgar, italian dhe gjerman për çlirimin final të vendit. Ditën tjetër, më 12 tetor, doli edhe Aradha partizane e Kumanovës.

Me vendimin për hyrje në koalicionin antifashist Maqedonia qëndroi në anën e njerëzimit progresiv dhe kundër fashizmit si ideologjia me e errët e historisë bashkëkohore dhe mohimi më i fuqishëm i vlerave të përgjithshme civilizuese dhe demokratike.

Populli i Maqedonisë në mënyrë të pavarur luftoi për lirinë e tij. Nga aradhat e para partizane që e filluan luftën ishte  Ushtria Popullore Çlirimtare e Maqedonisë që në fund të luftës katërvjeçare u shndërrua në një armatë me 110 mijë vetë dhe me një organizim të mirë me formacione ushtarake të rangut të lartë.

Kurorë e kësaj lufte janë vendimet e Asamblesë së parë të KAÇKM-së në vitin 1944, me të cilat janë përjetësuar idealet shumëshekullore për themelimin e shtetit të Maqedonisë./Alsat/