Jugohrom do të rihapet pas ndërtimit të sistemit të filtrimit (FOTO+VIDEO)

133904029-480x320

Memorandumi i nënshkruar sot ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe përfaqësuesve të ndërmarrjes Jugohrom që u mbyll në nëntor të vitit 2016 parasheh ndërtim të sistemit të filtrave dhe rihapjen e tij pasi të vendosen filtrat. Kështu bënë të ditur sot zëvendëskryeminstri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, udhëheqësi i ndërmarrjes Jugohrom, Vasko Skenderovski dhe kryetari i sindikatës së të punësuarve të Jugohromit, Bajram Amiti, njofton Portalb.mk.

“Me nënshkrimin e këtij memorandumi është e qartë se fabrika Jugohrom do të fillojë të punojë, se pronarët do të vazhdojnë të ndërtojnë filtrat dhe se Qeveria në kuadër të kapaciteteve të saj të kryejë obligimin me procedura administrative si ndaj ndërmarrjes por edhe qytetarëve. Jugohrom do të fillojë të punojë pas vendosjes së filtrave. Memorandumi nënshkruhet me qëllim që të kemi një dëshmi se secili ka kryer detyrimet e tij. Me këtë memorandum janë paraparë edhe kriteret juridike të cilat mundësojnë kryerje dhe siguri të subjekteve të përfshira në këtë proces”, tha Angjushev.

Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i Jugohromit, Vasko Skenderovski tha se Jugohrom nuk do të punojë pa filtra.

“Ne kemi qenë në një status quo tash e një kohë të gjatë. Dua t’ju sqaroj se nuk ka vend për frikë se Jugohromi do të punojë pa filtra, përkundrazi ky është një motiv që ne ta kryejmë sa më shpejtë këtë proces. Jugohrom nuk do të punojë asnjë ditë pa filtra”, tha Skenderovski.

Vendosja e filtrave nuk garanton ajër të pastër për Tetovën

Edhe pse ish-ministri i Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti muaj më parë pranoi se ndotësi më i madh i ajrit në rajonin e Pollogut ka qenë Jugohromi i cili ka punuar pa standarde ekologjike, gjë për të cilën edhe u mbyll, zëvendëskryeministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Koço Angjushev nuk premtoi se vendosja e filtrave do të mundësojë ajër të pasur për këtë rajon.

“Jugohrom nuk është i vetmi ndotës në rajonin e Pollogut sepse ka edhe ndotës të tjerë. Nuk mund të thuhet se me vendosjen e filtrave ne do të garantojmë që rajoni i Pollogut do të ketë ajër të pastër. Por pjesa e Jugohromit që ndikoi në ndotjen e ajrit ajo do të eliminohet. Ne kemi hulumtuar për filtrat dhe ato janë bërë me të gjitha standardet. Janë bërë konsultime me specialistë të huaj dhe si projekt, konstruktimin e projektit të sistemit të filtrimit do ta bëjë ndërmarrje me nivel të lartë. Betonimi është kryer dhe kjo është shenjë që unë të ju garantoj se Jugohrom nuk do të jetë ndotës në rajonin e Pollogut”, tha Angjushev.

Duke e pasur parasysh se me mbylljen e Jugohromit rreth 900 punëtor ngelen të papunë, gjë për të cilën kishim edhe protesta të shumta, përfaqësuesi i tyre, Bajram Amiti tha se rihapja e Jugohromit do të mundësojë rinisjen me punë të punësuarve.

“Që nga dita e mbylljes së ndërmarrjes punëtorët e saj kanë mbetur pa punë. Mirëpo që sot jemi këtu me një zgjidhje përfundimtare për punëtorët dhe shoqatat ekologjike, sepse është paraparë vendosja e sistemit të filtrimit. Nnë jam i sigurt se qeveria do të gjej mekanizëm se si do të përfundojë procesi i vendosjes së filtrave dhe të vazhdojë me punë Jugohromi”, tha Amiti

Meqë bisedimet e Jugohromit me qeverinë paraprake kanë zgjatur gjatë kohë kurse ka më shumë se një vjet kurse marrëveshje e ngjashme nuk u arrit asnjëherë, Skenderovski nga Jugohrom tregoi se mbyllja e Jugohromit ka ardhur si pasojë e vonesave që janë bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse për dhënien e lejes për ndërtim të sistemit të filtrimit.

“Nuk do të flas se çfarë nuk u morëm vesh me qeverinë e kaluar por do të thosha se ky memorandum është shumë preciz. Me qeverinë paraprake kemi pasur afat prej dy vjetësh të cilin ne nuk e respektuam. Faj për këtë kanë pasur institucionet të cilat vonuan me dhënien e lejes për fillim të punës, proces ky që zgjati më shumë se 18 muaj. Pas kësaj ne kërkuam vazhdim të afatit të ndërtimit të filtrave mirëpo këtë ne nuk e morëm nga Qeveria e kaluar. Më 1 nëntor kur edhe skadoi afati për vendosjen e filtrave, pa dallim që leja na u dha më 26 korrik të 2016-s, qeveria nuk e vazhdoi afatin e vendosjes së filtrave dhe na mbylli. Me memorandumin e ri neve na është caktuar koha se deri kur do të vendosen filtrat”, tha Skenderovski.

Duke e pasur parasysh se punimet për sistemin e filtrimit tashmë ka muaj që kanë filluar kurse punimet janë ndërprerë, sipas Skenderovskit zvarritja e punimeve ka ndodhur për shkak se ndërkohë kanë arritur marrëveshje me ndërrmarje e cila do të nis ndërtimin e konstruktit.

“Themelet betonike të vendosura në sistemin e filtrimit janë vënë dhe në ndërkohë ne kemi arritur marrëveshje me ndërmarrjen e cila është përgjegjëse për ndërtimin e konstruktit i cili paraqet njërin nga problemet më të mëdha të sistemit. Sipas parashikimeve faza e parë e vendosjes së filtrave do të përfundoj deri në fund të muajit prill-maj kurse faza e dytë do të nis në fillim të muajit qershor”, tha Skenderovski.

Nga Jugohrom bënë të ditur se sistemi i vendosjes së filtrave do të kushtojë rreth 12 milion euro. Faza e parë do të kushtojë rreth 4.5 milion euro dhe do të paguhen nga vetë Jugohromi.

Përndryshe, ri-hapja e fabrikës u paralajmërua nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Në këtë reagoi ashpër lëvizja Eco Guerilla si dhe Nëna dhe Fëmija, lëvizje që kanë qenë pjesë e protestave kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, gjë që u vërtetua se në masë të madhe ishte nga puna pa filtra e kësaj fabrike.

“Nevojiten dy vite për instalim të filtrave dhe jo disa muaj andaj çdo nënshkrim i marrëveshjes mes Qeverisë dhe pronarëve të fabrikës “Jugohrom” do të hasë në kundërshtim të ashpër” shprehen këto lëvizje.

Ndryshe, problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Por, Jugohrom nuk arriti të respektoj afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit u mbyll. Pas mbylljes rreth 900 punëtor mbetën pa punë të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti, publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Ja edhe memorandumi i nënshkruar sot:

Memorandum 1

 

Memorandum 2