Skandaloze: Si maltretohen shqiptarët në ambasadën e Maqedonisë në Vjenë, udhëtojnë nga 2-3 orë dhe nuk kryejnë punë

ambvjene

Ndonëse përfaqësitë diplomatike të një vendi duhet të jenë në shërbim të qytetarëve të atij vendi në vendet tjera, kjo si duket nuk po ndodh me shtetasit e Maqedonisë, e veçanërisht me ato shqiptarë të cilët gjithmonë kanë qenë të diskriminuar në këtë drejtim, madje për të qenë akoma më e vrazhdë kjo çështje, partitë shqiptare nuk i kanë kushtuar rëndësi të madhe diplomacisë duke lënë pas dore këtë dikaster të rëndësishëm, shkruan Zhurnal.mk

Ndërvite kemi dëgjuar e parë shumë skandale që kanë përfshirë diplomacinë e Maqedonisë, mirëpo në shumë raste për këto ‘skandale’ edhe është heshtur duke mos ekzagjëruar gjërat, ndonëse për shumë raste edhe është e nevojshme të bëhet zhurmë.

Kështu, një tjetër histori e dhimbshme flitet se po përjetohet nga shqiptarët shtetas të Maqedonisë që jetojnë në Austri. Kjo për shkak se personeli i ambasadës së Maqedonisë në Vjenë duket se nuk i trajton ato në mënyrën e mirë të mundëshme. Trajtimi që ju bëhet shtetasve shqiptare nga Maqedonia në Vjenë të Austrisë nga ana e ambasadës ose më saktë konsullatës është se sa herë ato vijnë për të kryer punë, derën e gjejnë të mbyllur.

Udhëtimi që bëjnë në mbi 2-3 orë nga ndonjë qytet tjetër, gjuha që nuk flet konsulli (gjuhë gjermane që është e patjetërsueshme ose shqipe) ndikon në atë që palët (në këtë rast shtetasit shqiptarë) të mbesin jashtë zyrave të konsullatës (ambasadës) dhe mos të kryejnë asnjë punë, edhe pse kanë lënë orarin e punës e kanë bërë rrugë, janë lodhur e kanë shpenzime të shumta deri në Vjenë e në fund të kthehen duar bosh.

Shtetas shqiptarë të Maqedonisë që jetojnë në Austri në kushte anonimati tregojnë për Zhurnal.mk se si udhëtojnë nga 3 orë drejtë Vjenës e më pas gjejnë dyert e konsullatës të mbyllura, ose hasin në burokracinë e konsullit (M.M) i cili për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane e as asaj shqipe nuk mund të gjejë komunikim me palët, gjë që vështirëson ende më shumë situatën.

“Gjithmonë para ambasadës në Vjenë presin njerëz me fëmijë të vegjës, njerëz në moshë dhe nuk mund të futen të kryejnë punë sepse konsulli nuk flet as gjermanisht e as shqip, pasiqë shumica e palëve janë shqiptarë, ai i kthenë prapa duke mos ju kryer punë edhe pse udhëtojnë nga 3-4 orë që të vijnë në Vjenë dhe presin me orë të tëra të nervozuar sepse në të shumtën e rasteve dera e ambasadës është e mbyllur dhe nuk punon me ditë të tëra, të hënën, të mërkurën dhe të enjten vetëm nga disa orë hapet ndërsa të premten qëndron e mbyllur sepse konsulli shkon për vikend të shëtisë dhe njerëzit vazhdojnë të revoltohen dhe të maltretohen”, theksojnë burime nga Vjena.

Për të qartësuar gjithë situatën, Agjencia e lajmeve Zhurnal kërkoi sqarim edhe nga Ministria e punëve të jashtme, nëse janë në dijeni për rastin në fjalë e nëse në adresë të tyre ka pasur deri më tani ndonjë ankesë nga shtetasit shqiptarë të Maqedonisë që jetojnë në Austri apo në ndonjë vend tjetër lidhur me trajtimin që ju bëhet nga stafi diplomatik në vendin ku jetojnë, ndërkohë që shqetësimin i’a ka shfaqur edhe përfaqësuesit për media në kabinetin e ministrit të jashtëm Jane Lazevski i cili që në mëngjes e deri më tash nuk e ka parë të arsyeshme të kthejë përgjigje lidhur me rastin në fjalë.

Ndërkohë që Agjencia e lajmeve Zhurnal ka kërkuar sqarim mbi rastin në fjalë edhe nga ambasadorja e Maqedonisë në Vjenë të Austrisë, znj. Vasilka Poposka Trenevska dhe nga zv.ministrja e punëve të jashtme znj. Arta Toçi, të cilat edhe faktikisht duhet të kyçen që rasti në fjalë të zgjidhet dhe të merr një epilog pozitiv ndërsa mos të ndodhë edhe në vendet tjera i njejti rast.

E vetmja e cila u përgjigj për këtë rast është zv.ministrja e jashtme znj. Arta Toçi e cila në prononcimin e saj për Zhurnal.mk thekson se i inkurajon gjithë qytetarët të cilët kanë probleme të ngjajshme që të bëjnë ankesa në MPJ ose më saktësisht në drejtorinë për çështje konsullore që më pas të njejtat ankesa të procesohen dhe ndaj atyre që shkelin ligjin të ndërmeren masa.

“Deri më tani nuk kemi pasur ankesa të tilla, gjë e cila nuk e përjashton faktin se qytetarët tanë në Austri ballafaqohen me probleme të kësaj natyre, megjithatë unë i inkurajoj njerëzit të cilët kanë vërejtje për punën e përfaqësive tona në vendet tjera të bëjnë ankesa me shkrim dhe t’i drejtojnë në Ministrinë e punëve të jashtme të RM respektivisht në drejtorinë për çështje konsullore. Të gjitha ankesat eventuale do të shqyrtohen me vëmendje nga ana e Ministrisë së jashtme dhe nëse konstatohet se përfaqësuesit tanë jashtë vendit nuk i kryerjnë obligimet e tyre sipas Ligjit për punë të jashtme të RM-së, ndaj tyre do të ndërmeren masat sipas të njejtit ligj”, kështu thekson për Zhurnal.mk zv.ministrja e punëve të jashtme, znj. Toçi.

Në anën tjetër, ambasadorja e Republikës së Maqedonisë në Vjenë të Austrisë znj. Vasilika Poposka Trenevska nuk e pa të rrugës që të jep ndonjë koment lidhur me rastin.