Nevoja për reforma në administratën publike jashtë kufijve partiak

argetim

Duhet të kemi të qartë se reformat hartohen nga poshtë-lartë. Administrata paraprakisht duhet të përgaditet për reforma dhe pastaj të fillojë hartimi i një plani për reforma. Reformat kërkojnë shumë mund, kohë, energji dhe mjete financiare. Prandaj, tani është momenti që nëpërmjet hartimit të planit për reforma në administratën publike të shfyrtëzojmë rastin për fuqizimin ligjor të kompetencave të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Akademisë për Administratën Publike.

Nga Dr. Argëtim Saliu

Nuk është risi të themi se vendi ynë, Maqedonia, kalon nga kriza në krizë. Me këtë dëshmojmë se, fatkeqësisht, ende jemi në periudhë tranzicioni. E kjo situatë e brishtë politike me shumë sfida e probleme, tejmase e vështirëson jetën e qytetarëve dhe e ngadalësonte stabilitetin politikë dhe ekonomik të vendit. S’do mend se ky proces në vendnumëro në masë të konsiderueshme e ka rrënuan imazhin e vendit dhe e ka ngadalësuar procesin euro-integrues të vendit.

Megjithatë, në horizont shihet edhe një shkëndi shprese, sidomos nga zotimin permanent i kësaj përbërje qeveritare se me çdo kusht do të integrohemi në NATO dhe BE. Natyrisht, edhe kthimi i vëmendjes kohëve të fundit kah SHBA-të dhe BE-ja dhe zotimet për shtyerjen e proceseve politike në vend shtojnë shpresat pë një të ardhme më të mbarë dhe stabile.

Mbase në të gjitha segmentet kemi nevojë për reforma, prandaj që nga pavarësimi i vendit e deri më tani kemi hartuar e miratuar strategji dhe plane për reforma në shumë fusha. Rrjedhimisht, që nga viti 1995 Qeveria e Maqedonisë ka hartuar disa strategji për reforma edhe në administratën publike. Andaj, nuk mund të themi se nuk kemi përpjekje për reforma dhe se nuk po bëhen plane dhe strategji për realizimin e tyre, por ngecja e tyre has në vështirësi gjatë realizimit dhe shpesh herë ato edhe devijojnë nga ajo çfarë është e shkruar. Si dëshmi mund të marrim se që nga strategjia e parë për reforma e vitit 1995 e deri te strategjia e fundit е 2017-2022 e hartuar nga Ministria për shoqëri informatike dhe administratë, kemi zotime për një administratë moderne dhe efikase. Po ashtu, si pjesë përbërëse e këtyre strategjive por edhe raporteve nga Komisioni Europian thuhet se vendi ka një numër të madh punonjësish në administratën publike dhe është jo efikase.

Si shtet, jemi munduar shumë që nëpërmjet sjelljes dhe ndryshimit të ligjeve të reja për nëpunës administrativ dhe nëpunës publikë, të kopjojmë modelin slloven të organizimit dhe funksionimit të administratës. Por, si duket, po harojmë se Maqedonia është shumë largë realitetit, përvojës dhe nivelit të vetëdijes dhe të arriturave të përgjithshme të shtetit slloven.

Duhet të kemi të qartë se reformat hartohen nga poshtë-lartë. Administrata paraprakisht duhet të përgaditet për reforma dhe pastaj të fillojë hartimi i një plani për reforma. Reformat kërkojnë shumë mund, kohë, energji dhe mjete financiare. Ato nuk mund të realizohen as në ëndërr për 3, 6 apo 9 muaj.

Andaj, tani është koha që të forcohen edhe më tepër pozicionet e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duke ndryshuar nenet 6-të dhe 9-të, ku SIMO ka për obligim të japë pëlqim për planet vjetore për punësim. Në nenin gjashtë dhe nëntë të ligjit për nëpunës administrativë duhet që kompetencat e Sekretariatit të mos jenë vetëm për dhënien e pëlqimeve të planeve vjetore të organeve të administratës për punësim të nëpunësve administrativ, por edhe të ketë të drejtë që të anulojë konkursin nëse nuk respektohet parimi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Po ashtu, edhe ideja për të themeluar një Akademi për Administratën Publike që buron nga nevoja për të pasur një administratë efikase dhe moderne, një administratë profesionale që ju përgjigjet nevojave të kohës, largë ndikimit dhe trysnive politike nga pushteti, do të jetë në dobi të procesit reformues.