Titulli i nderit që UT i jep Lazim Destanit, sjell komente të këndshme

24301291_1581652281870196_8654792824431105803_n

Lazim Destani nderohet me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tetovës.

Të gjithë atyre që këto ditë kanë patur rastin të kalojnë nëpër rrugët kryesore të qytetit të Tetovës, do t’u ketë rënë në sy fotografia e Lazim Destanit. Ajo qëndronte hijerëndë në faqet e bilbordeve nëpër qytet për të dhënë njoftimin se Universiteti i Tetovës i jep Lazim Destanit titullin e nderit Doctor Honoris Causa. Ceremonia e dhënies së këtij titulli u mbajt dje në amfiteatrin e rektoratit të këtij universiteti në kuadër të aktiviteteve të shënimit të 23 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Për biznesmenin dhe filantropin tetovar Lazim Destani ky titull nderi vjen pas shumë mirënjohjeve që ai ka pranuar, ndër të cilat edhe titulli ‘Qytetar Nderi i Tetovës’ apo dekorata ‘Nderi i Kombit’ nga presidenti Bujar Nishani, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Për titullin Doktor Nderi që Lazim Destanit ia akordoi Universiteti i Tetovës, sot në rrjetet sociale po shihen komente të shumta ku ata shprehin gëzimin e tyre që edhe Universiteti i Tetovës u radhit në vargun e gjatë të institucioneve, që kësaj figure që i kalon kufijtë e kombëtares, ia japin vlerësimin më të lartë.

Ja po jua sjellim në vijim komentin dhe gëzimin nga postimi një tetovari, (Xhemil Daci) në facebook.

TETOVA KRENARE

E quajta ashtu ngase, pas shumë e shumë vite investimesh dhe sakrificash shumë të mëdha, mbrëmë u binda se ajo sakrificë dhe gjithë ai investim, po jep frytet e saja afatgjata. Një nga investimet më të mëdha është UNIVERSITETI I TETOVËS. Historinë e këtij universiteti e dinë të gjithë shqiptarët. Është i vetmi universitet në rruzullin tokësor që me gjak e themeloi populli dhe e mbajti gjallë deri sa fitoi epitetin “shtetëror”. Përkundër lëngimeve që inponohen nga vet sistemi arsimor i shtetit, UT-ja hapëron me sukses.

Mbrëmë, udhëheqja e UT-së në krye me rektorin popullor ,Vullnet Ameti, tetovarëve në veçanti u bëri një surprizë tejet të këndshme. LAZIM DESTANIN E SHPALLI DOKTOR HONORIS KAUZA. Ky titull nuk ka të bëjë gjithaq me z. Lazim Destani, sa ka të bëjë me nderin që u bëhet tetovarëve. Unë si pjesëmarrës i kësaj kënaqësije, u ndjeva shumë krenar sepse, të nderosh z.Lazimin do të thotë të nderosh Tetovën dhe tetovarët. Pra unë u ndjeva krenar dhe kam të drejtë t’u them tetovarëve, – KRENOHUNI!

Uroj nga zemra: U shtofshin Lazim Destanat anekënd trevave shqiptare! Mburem me këtë personalitet dhe jam i nderuar që e kam mik!