Sërgjan Kerim flet për gjendjen në rajonin e Ballkanit

Sergjan Kerim

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka shënuar rritje të ndjeshme të tensioneve politike këtë vit, ndërsa marrëdhëniet midis shumicës së vendeve të ish-Jugosllavisë janë në shkallë shumë të ulët. Që nga Sllovenia e Kroacia deri te Serbia e Kosova, përplasjet verbale dhe kontestet diplomatike janë bërë përditshmëri.

Duke patur parasysh marrëdhëniet në tensionim e sipër mes vendeve shumë afër Kroacisë, vendosëm të diskutojmë me Sërgjan Kerim, ish-Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ish-Ministër i jashtëm i Maqedonisë.

Kerim, i njohur ndryshe si “presidenti i botës”, për portalin Vijesti.hr bëri komente mbi një numër çështjesh nga fusha e politikës së jashtme kroate dhe diplomacisë, si dhe për çështje më të gjera, të fokusuara në të ardhmen e Bashkimit Europian dhe sfidave gjeopolitike globale.

Si e vlerësoni politikën e jashtme kroate gjatë mandatit të kësaj Qeverie të RK?

Një nga vlerësimet kryesore të çdo politike të jashtme, pra edhe të Kroacisë, është vazhdimësia. Kështuqë, përgjigjen për këtë pyetje nuk do ta kufizoja në kuadër të vetëm një mandati! Me vendimin e saj sovran për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian, Kroacia i ka përcaktuar qartë koordinatat kryesore të politikës së saj të jashtme globale prandaj këtu nuk mund të ketë luhatje më serioze. Ndërsa, këto lëkundje janë të dukshme kur bëhet fjalë për politikën e jashtme të Kroacisë në rajon apo me fqinjët e saj. Çështjet e pazgjidhura me Slloveninë, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë duhet të trajtohen me qëndrueshmëri dhe këmbëngulje më të madhe në interes të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit – kjo është sigurisht në interes të Kroacisë.

Për më tepër, është e dëshirueshme të forcohet diplomacia ekonomike, me qëllim të tërheqjes së kapitalit të huaj dhe investimeve direkte. Ky është instrumenti më i efektshëm për parandalimin e hovit brengosës të ikjes së popullatës së aftë për punë. Kështu, për shembull, nuk janë shfrytëzuar të gjitha potencialet për angazhimin e kapitalit kinez të formatit 1 + 17, që nënkupton bashkëpunimin e Kinës me vendet e Europës Lindore dhe Juglindore.

Si diplomat me përvojë, si e vlerësoni diplomacinë kroate dhe statusin e Republikës së Kroacisë jashtë vendit gjatë këtyre ditëve?

​Përfaqësuesit e diplomacisë kroate, me të cilët kam patur rastin të njihem  në periudhën e kaluar, janë të nivelit shumë të lartë, por kjo nuk më mjafton për një vlerësim meritor të diplomacisë në përgjithësi. Ajo që më bie në sy është se ministrja e Punëve të Jashtme (Marija Pejčinović Burić) është në fund të listës në sondazhe nga shkalla e vetëdijes publike për role të caktuara qeveritare. Kjo nuk është mirë për imazhin e diplomacisë kroate. Diplomacia fillon në shtëpi dhe pastaj përhapet si rrathët koncentrik në hapësirën e jashtme. Ndërkohë që, Presidentja e Republikës së Kroacisë është vazhdimisht dhe në mënyrë intenzive e angazhuar në mozaikun e jashtëm politik.

A mendoni se ende ekziston rreziku i konflikteve të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor? Nëse po, pse dhe nga cila anë vjen kërcënimi? Çfarë mund të bëhet për parandalimin e konflikteve të mundshëm në të ardhmen në këtë rajon?

Situata në rajon nuk është e mirë. Ka ende numër të madh çështjesh të hapura, të cilat në vetvete bartin potencialin e konflikteve që mund të marrin përmasa të armatosura. Le të mos harrojmë se luftërat në territoret e ish-shtetit të përbashkët u shkaktuan kryesisht nga përpjekjet për ndërrimin e të ashtuquajturve ‘kufij të Avnoj-it’. Madje me forcë. Pra, mësimi është i qartë – respektimi i plotë i kufijve ekzistues me mundësinë e korrigjimeve teknike dhe demarkacionit. Kjo duhet të jetë e vlefshme për të gjithë dhe në të gjitha kohërat.

Mbyllja e mosmarrëveshjeve për kufijtë është e mundur vetëm me respektimin e plotë të dhjetë parimeve të OSBE. I gjithë rajoni, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, duhet të integrohet në Bashkimin Europian, me eliminimin paraprak të mosmarrëveshjeve të këtij lloji. Të rrezikshme janë lojërat që kohët e fundit ofrohen si zgjidhje, siç është “shkëmbimi i territoreve apo i popullatës“. Nëse të gjithë me të vërtetë duan të jenë pjesë e BE-së, atëherë ajo është shumë e tepërt. Marrëveshja e Shengenit dhe instrumentet e tjera të BE-së janë garanci e mjaftueshme për lidhjen me të ashtuquajturin vend amë. Me zhvillim intensiv të infrastrukturës dhe energjetikës në rajon, do të krijohen kushte shumë të qëndrueshme për lidhje në rajon si dhe për sigurinë e përhershme të rajonit. Qarkullimi i njerëzve është garancia më e mirë e respektit dhe mirëkuptimit më të madh reciprok.

Në kontekstin e retorikës së fundit rreth vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Kosovë, a mendoni se ekziston rreziku i shkallëzimit të tensioneve midis Serbisë dhe fqinjëve të saj në të ardhmen e afërt?

Serbia, pas Gjermanisë, është vendi me më shumë fqinjë në Evropë. Ka gjithsej nëntë. Në këtë kuptim është mirë që politika e jashtme serbe t’i shembëllejë politikës së jashtme gjermane. Natyrisht, jo asaj nga e kaluara, por kësaj të tashmes. Kodi është shumë i thjeshtë – sa më shumë fqinjë që ke, aq më i përgjegjshëm je për sigurinë dhe paqen në mjedisin tënd. Kjo është arsyeja pse anëtarësimi i Serbisë në BE është i domosdoshëm.

Gjithsecili në rajon, përfshirë Serbinë, duhet të heq dorë nga pozita e të vepruarit me forcë. Në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi në kërkimin e zonave të bashkëpunimit, projekteve të përbashkëta dhe retorikave të bazuara tek respekti i ndërsjellë. Vetëm kështu, traumat e kaluara do të zhduken. Ne të gjithë, pa dyshim i kemi ato. Çdonjëri për arësyen apo bindjen e tij. Është e paimagjinueshme të justifikohet se, trauma e cilit është e arsyeshme dhe më e madhe. Le t’ia lëmë historisë. Ajo do ta zgjidhë këtë vetë, me kusht që ta mbajmë kursin dhe frymën europiane. Skandinavët janë shembulli më i mirë i saj. Kur ta kuptojmë dhe ta pranojmë këtë, ne do ta ndërpresim shkuarjen në hapësirat ku ata jetojnë dhe do të mbetemi këtu.

Sipas jush, cila është pozita e Kroacisë sa i takon marrëdhënieve në rajon? Si u krijua Kroacia? A mendoni se Kroacia mund t’i përballonte pasojat e një konflikti, nëse do të ndodhte ai?

Kroacia dhe Sllovenia janë anëtare të BE-së, aty janë edhe Rumania, Bullgaria dhe Greqia. Pra, e gjithë hapësira gjeografike dhe gjeopolitike e Ballkanit Perëndimor i takon Bashkimit Europian. Pse është e rëndësishme? E pra, thjesht sepse këta vende duhet t’i “infektojnë” ata që janë “jashtë” dhe jo anasjelltas. Greqia dhe Maqedonia janë një shembull aktual i shkëlqyer për këtë. Sigurisht, kjo duhet të bazohet tek shmangia e ndërsjellë dhe vullneti i mirë.

Prandaj, nuk është pyetja nëse Kroacia duhet t’i vuajë pasojat e konflikteve të atyre që janë ende “jashtë”, por sjellja e saj në rajon duhet të krijojë sinergji për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Mënyra më e mirë për Kroacinë për të kontribuar në adresimin e mosmarrëveshjes serbo-kosovare është ta mbështesë Bosnjë-Hercegoninën në përafrimin e saj me BE-në dhe të eliminojë çdo dyshim rreth integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës. Gjithkush e ka rolin e vet në krijimin e mozaikut të paqes dhe sigurisë në rajon. Në vend që të gjithë të tregojnë prirje për të bërë me gisht drejt të tjerëve, le t’i përkushtohet gjithsecili pjesës së vet të “misionit të pamundur”.

Me fjalë të tjera, është me interes vital për Kroacinë që të gjithë fqinjët e saj të hyjnë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur. Atëherë nuk do të jetë më “periferi” e Bashkimit, jo vetëm gjeografikisht.

Presidenca kroate e BE-së në 2020 është një mundësi fantastike për të reflektuar në këtë kuptim dhe për t’u treguar fqinjëve gjithçka që Kroacia është në gjendje të bëjë për integrimin e tyre në BE. Nëse më pyetni mua, kjo është tema e vërtetë, dhe jo kujt çka i pengon nga sjellja e fqinjëve të vet – ky është arti i diplomacisë së vërtetë.
Çfarë dallimi ka mes Bashkimit Europian të sotëm nga Bashkimi Europian i para 10 viteve?

Bashkimi Europian nuk zhvillohet vetëm në drejtim të jashtëm, por edhe brenda vetes. Me zgjerimin drejt lindjes dhe juglindjes janë kapërcyer plagët historike të luftës së ftohtë dhe ideologjive të papërmbajtura që kërcënuan botën dhe Europën me kalkulimet bërthamore. Megjithatë, ka ende disa dallime në nivelin e zhvillimit të ekonomisë, por edhe të demokracisë, sidomos në aspektin e sundimit të ligjit.

Pikërisht për këtë, Presidenti francez Emanuel Macron ka të drejtë kur këmbëngul tek “thellimi” si prioritet në rrethanat aktuale. Nuk mjaftojnë kufijtë e përbashkët, shfuqizimi i doganave apo futja monedhës së përbashkët për ta zhvilluar procesin e integrimit. Kërkohen impulse shtesë. Para së gjithash, në sinkronizimin e të drejtave dhe detyrimeve ekonomike dhe politike të shteteve anëtare. Nuk mund të harxhosh para pa kufi që dalin nga bashkësia të cilës i përkasësh, dhe në anën tjetër të insistosh në të drejtën tënde “sovrane” për të drejtuar gjyqësorin tënd apo dimensione të tjera të ndarjes së pushtetit.

BE nuk është vetëm një bashkësi e interesave ekonomike, por një komunitet i themeluar mbi vlerat që artikulohen si në aspektin e demokracisë, ashtu edhe në drejtimin e sistemit politik dhe social të shteteve anëtare.

Këto probleme në të kaluarën ishin shumë më të pakta sepse BE me 15 anëtarë ishte shumë më homogjene se sa sot me 28. Jo për shkak të dallimeve numerike, por për shkak të disa dallimeve në zhvillimin e planifikimeve të brendshme. Këtu ka shumë punë. Këto probleme duhet të trajtohen gradualisht gjatë 10 viteve të ardhshme.

A besoni se Europa ka fuqi për ta kapërcyer krizën nëpër të cilën po kalon aktualisht? Populizmi, ksenofobia, kriza e migracionit …

Të gjitha këto për të cilat po flisni, populizmi, ksenofobia dhe kriza e migracionit janë të zgjidhshme. Këto janë pasojat e historive të ndryshme të shteteve europiane. Ndërkohë që disa ishin forca kolonizuese dhe vepruan globalisht qysh në shekullin e 19-të, të tjerët ishin vazhdimisht pjesë e perandorive të mëdha, duke rrezikuar të humbasin identitetin e tyre. Sot ata gjenden të bashkuar në bashkësinë e të drejtave dhe lirive të barabarta dhe marrëdhënieve të barabarta. Kjo është një arritje fantastike që nuk mund të krahasohet me asgjë në historinë e qytetërimit tonë. BE-ja është një produkt i sofistikuar i përmasave historike që sublimon të gjitha përvojat e hidhura, frustrimet dhe paragjykimet që kanë lënë gjurmë në të kaluarën e të gjithë popujve europianë. Pa përjashtim.

Pikërisht prej këtu duhet të vijë frymëzimi për kapërcimin e situatave të krizës që po kalon Europa. Çdo përpjekje për ta kthyer prapa rrotën e historisë dhe për ta bërë secilin të lëviz në rrugën e vet do të ishte një hyrje në luftëra të reja dhe në shkatërrim. Shpresoj këto gjëra të kenë qenë të bollshme për europianët.

A mendoni se Bashkimi Europian si projekt mund të mbijetojë, sidomos për shkak të zërave disonantë për një numër çështjesh si liria e fjalës, mediave, migracionit e kështu me radhë (Hungaria, Polonia, Italia, etj.)?

Frustrimet e Italisë janë të kuptueshme sepse kufijtë e Mesdheut nuk janë të vetat, por kufijtë e BE-së. E njëjta gjë vlen edhe për akomodimin dhe vendosjen e migrantëve dhe refugjatëve. BE-ja herët a vonë duhet të gjejë zgjidhje të përshtatshme të përbashkëta. Hungaria dhe Polonia nuk do të jenë në gjendje të praktikojnë populizmin për një kohë të gjatë, dhe në fund nuk përfundon në dëm të tyre. Asnjëra prej tyre nuk e ka peshën apo fuqinë për ta përmbysur BE-në, por ato mund të dëmtohen seriozisht. Shihni se si Mbretëria e Bashkuar zvarritet në rrjetin e saj Brexit me një vendim të pamatur, të vjetëruar dhe të panevojshëm.

Do të kthehet në BE – këtë jua garantoj.

BE-ja, nga ana e saj, duhet të nxjerrë mësimet e duhura në lidhje me gjithë këtë përvojë, nga Brexit, rebelimi i Polonisë dhe Hungarisë deri te pakënaqësia e Italisë. Kjo do të thotë se pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ajo duhet të jetë serioze dhe të punojë në modifikimin e disa mekanizmave vendimmarrës, duke optimizuar parimin e subsidiaritetit dhe duke përfunduar zgjerimin në juglindje. Në tërësi, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar për të ardhmen e Bashkimit Europian.

Cilat janë sipas jush kërcënimet kryesore globale sot? A kanë ndikim ato, sipas mendimit tuaj, edhe në Kroaci? Nëse po, si?

Ne jetojmë në një botë të paqëndrueshme. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë në krizë serioze. Multilateralizmi si i vetmi mekanizëm i mundshëm i vendim-marrjes globale dhe rajonale është i rrezikuar. Nga ana tjetër, prapëseprapë nuk ka probleme që i imponohen botës sot, e që nuk janë të natyrës globale. Nga terrorizmi, përmes ndryshimeve klimatike, deri te migrimi. Luftërat e pakuptimta që dalin si sëmundje në vende të caktuara nga Siria deri në Jemen, gjithmonë bartin farën e rrezikut të përshkallëzimit në një konflikt global. Nëse asgjë tjetër, sulmet kibernetike dhe inkursionet në sistemet kundërshtare mund ta ndezin gjithë botën me një “keqkuptim” të vogël.

Marrëdhëniet e përkeqësuara midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të ngrihen gjithmonë në një konflikt më serioz në frontin e gjerë. As Europa nuk është imune ndaj rrezikut që brenda vetes fsheh kthimin tek promovimi i “sferave të interesit” si kriteri kryesor për demonstrim të forcës. Ta themi thjesht, ne jemi kthyer tek ekuilibri i të mundshmes/forcës në vend të ekuilibrit të interesit. Ukraina është një shembull i një qendre të tillë krize.

Kjo do të thotë që Kroacia duhet të jetë shumë e kujdesshme në pozicionimin e saj në situata individuale të tensioneve apo konflikteve. Përgjithësisht është e qartë se qëndrimet e adoptuara në NATO dhe BE janë parimet udhëheqëse në marrjen e qëndrimeve të politikës së jashtme. Këtu do të shtoja se formësimi me nuansa i vendimeve të përbashkëta detyruese, gjatë zbatimit lejon hapësirë devijimi/shmangieje. Ekziston një sfidë për aftësitë diplomatike.

Pikërisht për shkak të situatës së komplikuar dhe të keqe ndërkombëtare, zgjidhja e mosmarrëveshjes me Slloveninë me kalimin e kohës ose përpara presidencës së BE-së do të ishte optimale.

A mendoni se SHBA nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump do të bëhet një faktor i destabilizimit të rendit ndërkombëtar? 

Politika e jashtme e SHBA nën Donald Trump është subjekt i luhatjeve që po shkaktojnë pasiguri anembanë botës. Kjo është e kuptueshme duke patur parasysh fuqinë dhe autoritetin e Shteteve të Bashkuara, që dominon botën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më sot – mbi 70 vjet. Meqë slogani kryesor i zgjedhjeve ishte “Amerika e Para”, ai sillet sikur nuk i intereson gjë tjetër por vetëm, si i shohin vendimet e tij zgjedhësit amerikanë, ata që i dhanë votën e që dëshiron potencialisht të fitojnë. Nga kjo varet e gjitha. Trump e njeh mentalitetin amerikan më mirë se ne.

Kjo është arsyeja pse aleatët e NATO-s kërcënojnë: “Sa ke paguar, aq do dëgjosh muzikë”. Për veshët e amerikanëve – Simfoni, për Aleatët Europianë – Kakofoni.

Prandaj Bashkimit Europian i fusin tarifa doganore dhe bariera të tjera. Punëtorët dhe produktet amerikane janë “first”. E gjithë kjo pa marrë parasysh pasojat, reagimet e anës tjetër dhe rezultatet. Ana tjetër nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të taktizojë, duke përfshirë edhe kërcënimet si reagim. Trump ka disa probleme me establishmentin e vet. Në thelb, është një konflikt i tipit “kush cilin”.

Kjo është ende një pyetje e hapur që ndikon edhe në sjelljen ndërkombëtare të SHBA-ve. Dialogu me Korenë e Veriut është gjithashtu një matje e fuqisë me Kinën dhe Rusinë. Meqenëse kjo është thuajse para dyerve të tyre, asnjëri prej tyre nuk e fsheh shmangien nga përfshirja në këtë lojë diplomatike të ndërlikuar.

SHBA-të ndikuan në mënyrë të vendosur në arritjen e rendit ndërkombëtar të sotëm. Që nga themelimi i OKB-së deri te formimi i NATO-s, G-20, G-7! Përjashtim i vetëm është BRICS. Fakti që Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut e kanë themeluar këtë klub nuk është rastësi. Ky është një mesazh i qartë për Shtetet e Bashkuara, dhe në një mënyrë edhe për BE-në, se ata nuk mund ta dominojnë botën sot.

Ky është një realitet i ri që duhet respektuar për të shpëtuar nga lufta e re botërore, e cila në kushtet e dominimit të armëve bërthamore do të ishte krejtësisht fatale. Unë besoj se është e qartë për të gjithë – përfshirë presidentin amerikan./Vijesti.hr /