Nuk ka më punësime përmes MO-së por si do arrihet 25%, flasin Jahiu, Mançevski e Saliu

Jahi-Jahiu

Raporti i fundit i Ministrisë së Administratës i publikuar në muajin mars tregon se në sektorin publik janë rreth 130 mijë të punësuar. Numri i të punësuarve shqiptarë dhe nga etnitë e tjera pakicë, në sektorin publik aktualisht është rreth 19,5%, ndërsa sipas Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë 25%. Në këtë numër bëjnë pjesë edhe ata që ende marrin paga duke qëndruar në shtëpi, tani në pritje që të sistematizohen në ndonjë vend pune.

“Tani do të vendosen në listën e transferit dhe për ta vlejnë rregullat e njëjta si për të gjithë, nëse nuk ka institucion të interesuar për ta në periudhë të caktuar sipas ligjit, kontrata e tyre e punës do të ndërpritet”, tha Damjan Mançevski, Ministri i shoqerisë informaike dhe administratës.

Ministri i Administratës dhe shoqërisë informatike gjithashtu ditë më parë informoi se në 2019-tën nuk do të ketë më punësime përmes Sekratiriatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nëse është kështu, si do të arrihet përfaqësimi prej 25% i shqiptarëve dhe të tjerëve sipas Marrvëshjes së Ohrit? Sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Jahi Jahiu, thotë se këtë tashmë do ta bëjë çdo insitucion veç e veç, duke u matur me balancues që kalkulon punësimet edhe sipas përkatësisë etnike.

“Kjo është e vërtetë sepse në vitin 2015 ne sollëm një rregullativë e cila vendos se çdo institucion, në mënyrë individuale të realizojë përfaqësimin adekuat të grupeve etnike këtu në Maqedoni dhe ky proces është i vendosur me ligj, ka rregulla, dhe mundet lirisht të shikoni në sajtin e agjencionit për administratë ku shkruhet se duhet të jetë shqiptar, turk, maqedonas, dhe kjo funksionon”, u shpreh Jahi Jahiu, Sekretar Shtetëror në MSHIA.

Mangësitë e mundshme ligjore në këtë proces po rishikohen dhe nëse është e nevojshme do të ketë përmirësime, shton Jahiu, por kur 19,5%-shi pritet të arrijë 25%-shin e parashikuar?

“Realisht nuk mund të parashikoj, mund të ketë një metodologji e cila parasheh rritjen e kësaj, sepse në sektorin publik varet se sa ka nevojë, sa njerëz ikin, sa pensionohen dhe sa njerëz futen. Ne tani kemi dy probleme, nga njëra anë na kritikojnë se sektori publik po mbushet pa nevojë, nga ana tjetër kemi edhe kritika se përfaqësimi nuk po rritet, këto janë dy gjëra që janë në kundërthenie me njëra-tjetrën, po i mendojmë të gjitha këto, dhe mendoj se kjo punë do të rregullohet”, tha Jahi Jahiu, Sekretar Shtetëror në MSHIA.

Profesori i adminstratës publike Argëtim Saliu thotë se në disa institucione publike ka ngecur përfaqësimi i paraparë sipas Marrëveshjes së Ohrit.

“Të mos shkojmë më larg, prej tek Kabineti i Presidentit, kabineti i kryeministrit, Ministria e financave, Banka Popullore, e kështu me rradhë, janë disa institucione kyçe ku niveli i përqindjes së shqiptarëve nuk kalon më tepër se 3-4%”, u shpreh Argëtim Saliu, Profesor Universitar.

Arsyen e këtij përfaqësimi të ulët Saiu nuk e gjen tek mungesa e kuadrit por te mungesa e vullnetit politik për të punësuar shqiptarë në disa institucione. Së fundmi, krahas reformave në administratën publike, Ministri Mançevski gjithashtu paralajmëroi edhe shfuquzimin dhe riorganizimin e disa instituconeve, gjë e cila pritet të prekë edhe të punësuarit nëpër to, të cilët ose do të transferohen në ndonjë sektor tjetër publik, ose do t’i orfrohen sektorit privat, e nëse s’gjenë vend tek asnjëra nga këto, do t’u ndërpritet kontrata e punës.