A do të ndryshohet emri i Sekretariatit për MO-në?

Qeveria_MK-Copy-2 (1)

Është akoma e paqartë nëse Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të ndryshojë emër dhe format, ashtu siç u përfol gjatë formimit të Qeverisë së Zaevit. Gjatë asaj periudhe, pushteti i ri vlerësonte se me miratimin e ligjit për gjuhët, Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet plotësisht e zbatuar dhe se ky sekretariat mund të rimërohej në Sekretariat për Sistem Politik. Të pyetur për ndryshime të mundshme, nga Qeveria tani thonë se zyrtarisht nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe se një temë e tillë nuk është diskutuar aspak. Alsat drejtoi pyetje edhe në kabinetin e zv.kryeministrit Hazbi Lika. Nga atje sqaruan se që pas formimit të Qeverisë, nga 7 qershori i vitit 2017, Sekretariati edhe zyrtarisht njihet si Sekretariat për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por se nuk ka nisma për ndryshime të tjera më të mëdha. Profesori Argëtim Saliu thotë se duhet të konsiderohet edhe mundësia që ky sekretariat të shëndërrohet në Ministri për Sistem politik, por për këtë do të duhej një analizë e detajuar funksionale.

Është çështje e pazareve politike dhe për këtë nuk i pengon ligji. Në momentin që ata arrijnë pajtueshmëri për këtë atëherë është e arritshme por këtu duhet të theksoj se kjo temë duhet të analizohet mirë se a është mirë që sekretariati të shëndërrohet në ministri të veçantë ose të mbetet organ në kuadër të qeverisë.” –theksoi Argëtim Saliu, profesor

Me ndryshimet e fundit ligjore për nëpunës shtetëror, punësimet e reja nëpër institucione nuk do të bëhen më përmes Sekretariatit për MO-në por konkurset do të hapen nga vetë institucionet përkatëse. Megjithatë, sipas Saliut, Sekretariati do të ketë përsëri rol vendimtar në dhënien e pëlqimit për punësim.

Punësimet sipas Marrëveshjes së Ohrit janë kategori kushtetuese dhe ata do të vazhdojnë edhe në të ardhmen sepse janë kategori kushtetuese dhe duhet të respektohen. Në qoftë se i marrim për bazë raportet e fundit të cilat u publikuan nga vetë Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë por edhe nga raporti i Avokatit të popullit deri tani ka 19.3% shqiptarë të punësuar nëpër institucionet e sistemit kështu që le të nënkuptohet se diku 6% ka nevojë për punësime të reja dhe ato duhet të vazhdojnë.” – tha Argëtim Saliu, profesor

Që pas formimit të kabinetit të Zaevit, edhe në faqen elektronike të Qeverisë, ky sekretariat shënohet si Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por funksioni i tij ka mbetur i njëjtë.