Mehmet Prishtina dhe Ismet Sylejmani kërkojnë: Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë për nder të Bush

ismet-s-702x375

Stërnipi i Hasan Prishtinës, kryeministrit të 8-të të Republikës së Shqipërisë, Mehmet Prishtina mbështet fuqishëm idenë e veprimtarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), ushtarit dhe udhëheqësit të luftës për liri të UÇK-së, Ismet Sylejmani që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë një seancë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), George H.W.Bush.

“Pas shkrimit të veprimtarit të hershëm, ushtarit dhe udhëheqësit të luftës për liri z.Ismet Sylejmanit me titull ‘Lamtumirë President George Bush’, me rastin e ndarjes së tij nga jeta, për të shpallur një ditë zie nga Republika e Kosovës nuk vonoi as 24 orë dhe u përkrah nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili të mërkurën shpalli në Kosovë ditë zie! Për mua ky është një shembull unik se si veprimtarët dhe patriotët e vërtetë pavaresisht bindjeve të tyre ideologjike apo pozitës aktuale në shoqëri e pushtet, dinë të dallojnë dhe vleresojnë kontributin e Presidentit Bush, në kohët e vështira”, shkruan Prishtina.

Ai thekson se Ismet Sylejmani sot nuk i takon asnjë grupimi politik dhe nuk është i përfshirë në pushtet, por në këtë huti të situatës dhe rrethanave politike ai tregoi zgjuarësi dhe mirënjohje e “që mua si qytetar i rangut të ngjajshëm më bënë krenar veprimi i tij”.

“Uroj që ky propizim të përkrahet edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të mbahet një seancë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të mikut dhe njëriut të madh të historisë së njerëzimit, i cili në fillim të viteve të 90-ta të regjimit kriminal të shtetit serb i caktoi vijën e kuqe të durimit”, ka thënë Mehmet Prishtina.

Ndërkohë, ai shpreh mirënjohje edhe për Presidentin e Kosovës, z.Hashim Thaçi për veprimin e tij të mënjëhershëm për të shpallë ditë zi në Kosovë me rastin e ndarjes nga jeta të Presidentit të 41 të SHBA-ve.

“Presidenti Hashim Thaçi po dëshmonë kujdes dhe vigjilencë edhe në kohët e vështira të proceseve kulminante për Republikën e Kosovës, andaj veprimi i tij është për t’u përshendetur”, ka thënë Mehmet Prishtina, veprimtar i çështjes kombëtare.