Vëllai i Oliver Ivanoviqit s’e përjashton përfshirjen e Radoiçiqit në vrasje

Oliver Ivanovic MC 640

Mirosllav Ivanoviq, vëllai i liderit të vrarë serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka thënë sot se nuk ka ndonjë informatë të besueshme se në vrasjen apo përgatitjen për vrasje ka qenë i përfshirë Millan Radoiçiqi, por se nuk e përjashton përfshirjen e tij.

Mirosllavi ka thënë në “TV Vojvodina” se edhe Prishtina edhe Beogradi kanë interes që vrasja të zbardhet.

Ai ka shtuar se nuk ka ndonjë informatë të besueshme se Radoiçiqi është i përfshirë, por do të “gënjeja nëse do të thosha se ai njeri nuk është objekt i interesit tim”, duke pasur parasysh se ai është një person që përmendet shumë në këtë kontekst, për të lidhen shumë rrëfime, ka shumë të dhëna e informacione, transmeton Koha.net.

Ivanoviqi ka thënë se informacionet në lidhje me vrasjen i merr sikurse çdo lexues apo shikues tjetër i televizioneve apo mediave tjera.

“Jam gjyqtar [në Kosovë] dhe nëse do të thosha se dikush duhet të më informoj, do ta godisja veten time, por unë kërkoj vetëm të më njoftojnë, të më sigurojnë se po merren me rastin”, ka thënë Mirosllav Ivanoviq.

Kujtojmë se Policia e Kosovës, gjatë një bastisjeje në veri të Mitrovicës më 23 nëntor të vitit të kaluar, kishte arrestuar katër persona të dyshuar për lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, e në mesin e personave që është dashur të arrestohej ka qenë edhe Radoiçiqi, por i njëjti nuk ishte gjetur në banesën e tij, raporton Koha.net.

Radoiçiqi, që njëherësh është edhe nënkryetar i Listës Serbe, mësohet se pas këtij aksioni është zhvendosur në Serbi prej nga ka dhënë edhe disa intervista në të cilat ka deklaruar se ka ikur për shkak se Policia e Kosovës ka pasur në plan që ta vriste atë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dalë në mbrojtje atij.