LSDM-ja nuk do ta presë BDI-në për president konsensual?

LSDM

LSDM-ja po bën përgatitjet dhe analizat e fundit për caktimin e kandidatit për president. Socialdemokratët deri të premten do të dalim me emër konkret ndërsa në fund të javës do të mbahet kongresi partiak ku edhe do të zyrtarizohet emri i kandidatit. Ndonëse palët ditë më parë njoftuan se kriza politike brenda partnerëve të koalicionit, BDI-LSDM nuk do të ndikojë në bisedimet për zgjedhjen e kandidatit të përbashkët, situata në realitet rezulton ndryshe. Në BDI nuk e kanë hapur debatin brenda partiak për kandidatin konsensual, ndërsa LSDM-ja jo zyrtarisht pritet të vendosë pa pritur qëndrimin përfundimtar të integristëve.  Negociatat nuk janë zgjeruar nga takimet e liderëve as më Lëvizjen Besa dhe partinë Alternativa. Të dyja subjektet pohojnë se brenda partive nuk është diskutuar asgjë përderisa nuk ka emër konkret nga kryeministri Zoran Zaev. Besa dhe Alternativa konfirmojnë se krerët e partive janë në komunikim të vazhdueshëm me kreun e LSDM.  Në mbledhjen e sotme LSDM-ja pritet ta shqyrtojë edhe çështjen e presidentit. Dilemat mbeten mes kandidatit partiak ku si emra më të përfolur janë Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski, apo kandidati i përbashkët me partnerët e koalicionit, ku për kandidat të mundshëm lakohen emrat e Stevo Pendarovskit dhe Nikolla Dimitrovit. Në rast se LSDM-ja përcaktohet për kandidat partiak, BDI do të shqyrtojë mundësinë mes kandidatit të përbashkët më PDSH-në dhe partinë Alternativa apo e vetme në garë me kandidatin e saj. Opozita shqiptare vazhdon negociatat me për gjetjen e kandidatit përbashkët. Jo zyrtarisht, Ziadin Sela dhe Bilall Kasami janë duke përafruar qëndrimet për të dalë me kandidat të përbashkët. Si emër i mundshëm përflitet profesori Blerim Reka./Alsat/

Adrian Kerimi