Senati do të votojë për bllokimin e emergjencës kombëtare në kufi me Meksikën

senat

Senati i Shteteve të Bashkuara, i kontrolluar nga republikanët, do të votojë sot një rezolutë për të bllokuar vendimin e presidentit Donald Trump për shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin me Meksikën.

Senati pritet ta refuzojë deklarimin e emergjencës kombëtare, por Trump pritet të përdorë veton ndaj vendimit të Senatit.

Trump shpreson ta përdorë vendimin e tij për të siguruar fonde për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.

Trump thotë se me këtë mur do të pengohet hyrja e paligjshme e migrantëve në Shtetet e Bashkuara.

Votimi në Senat – dhomën që kontrollohet nga partia e Trumpit – shihet si një goditje për presidentin.

Burime të Kongresit thanë se së paku 15 republikanë do të votojnë për të bllokuar shpalljen e emergjencës kombëtare.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët dhe e kundërshton fuqishëm ndërtimin e murit kufitar, e ka kaluar legjislacionin kundër emergjencës kombëtare muajin e kaluar.

Demokratët thonë se nuk ka dëshmi për emergjencë të tillë në kufirin jugor.