Rrëfimi tronditës dhe frymëzues i Lulieta Sharanit

luljeta
Përshëndetje të nderuara zonja, i dashur vëlla dhe mik i Kosovës Ali Ahmeti, të faleminderoj për ftesën
Ndjej kënaqësinë e vecantë të jem në gjirin tuaj sot dhe ju uroj punë të mbarë në këtë Kuvend Zgjedhor
Unë nuk jam politikane, as deputete, as ministre, unë jam një nënë.
Quhem Lulieta Sharani dhe vij nga Gjakova. Jam bashkëshorte e Skyfer Sharanit dhe nënë e Valonit dhe Visarit si dhe vajzës Arijeta, gjyshe e Diarit dhe Erionit nga vajza Arijeta.
Jam kunatë e Tahir, Mentor dhe Isuf Sharanit.
Në ditën e Evropës, me 9 maj të vitit 1999, forcat barbare serbe na ngujuan në shtëpi.
Të nesërmen, më 10 maj, në oborrin e shtëpisë tonë, u ekzekutuan dy dritat e syve të mi, Valoni dhe Visari, shoku im i jetës Skyferi, bashkë me Tahirin, Mentorin dhe Isufin.
Valoni ishte 22 vjec, ndërsa Visari 20, Skyferi 48 vjec.
Forcat barbare serbe na larguan neve, grave dhe fëmijëve, me dhunë dhe me tytat e kallashnjikovëve jashtë oborit të shtëpisë duke na ndarë nga burrat e shtëpisë.
Bashkë me 6 anëtarët e familjes time, u ekzekutuan edhe 5 fqinjtë tanë në oborrin e shtëpisë.
Vajza Arijeta, doli para gjoksit të vëllezërve të saj dhe tha më vrisni mua. Valoni e largoi motrën. Skyferi më kapi për qafe duke më thënë vazhdoni jetën ti dhe Arijeta.
Na nxorrën jashtë afër Xhamisë ku ishin rreth 200 policë dhe deshën t`i vërsulën vajzës sime. I thash ik ke gjyshja, se unë po kthehem në shtëpi. Nuk e dua jetën time pa djemtë.
U alivanosa aty.
Nëna e Skyferit, vjehrra ime burrneshë, lau gjakun e të birit dhe nipave nga oborri i shtëpisë vetëm e vetëm që mos ta shohim ne. Imagjinoni forcën e nënës. Paramendojeni durimin e nënës.
Gjatë gjithë luftës mbetëm në Gjakovë. Kufomat nuk i gjetëm.
Mbas luftës, në shtëpinë time erdhi z. Xhejms Rubin, zëdhënës i Stejt Departmentit Amerikan. Kjo kronikë e vizitës së tij u transmetua edhe në CNN. Senatori Amerikan Bob Doll gjithashtu erdhi dhe na vizitoi për të ndarë dhimbjen me ne.
Motra të dashura,
Më 23 dhjetor 2003, i pari na u kthy Tahiri, ndërsa më 18 prill 2004 u kthy Skyferi, Mentori dhe Isufi.
Më 15 janar 2007, nënës dhe motrës iu kthyen edhe Valoni dhe Visari në ditëlindjen e tij.
Zonja të nderuara, unë këtë rrëfim të sotshëm nuk e bëra për Ali Ahmetin. Ai vet ka lidhur plagë dhe ka nxjerr plumba nga gjoksi.Ai e njeh dhimbjen tonë.
Ky rrëfim i imi i sotëm ka për qëllim juve, që nga ndonjëherë akoma keni dyshime, që shpesh dëshpëroheni nga gjëra të mëdha e të vogla, t`ju demonstron sakrificën, forcën, dashurinë, durimin e nënës shqiptare pvr dicka të shenjtë, për lirinë.
Jetërrëfimi im le t`ju shëndëron dëshpërimin në frymëzim. Le t`ju nxit që dhimbjen ta shëndëroni në forcë. Vuajtjen në dashuri.
Sot, unë jam pjesë e organizatës `Thirrjet e nënave` nga Gjakova.
Plaga jonë vijon të jetë e hapur sepse jemi në pritje të na kthejnë mbetjet mortore të tëdashurve tanë.
Imagjinoni vetëm dhimbjen tonë. Por ne,dhimbjen dhe vuajtjen e shëndëruam në frymëzim për ta ngritur zërin lartë dhe për mos të heshtur kurë.
Për të kërkuar drejtësi.