Ahmeti në Saraj: Me 21 prill ju ftoj që të votojmë për koncept, për një filozofi të re, për një koncept që shqiptarët i lartëson

foto Saraj 1

Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale ka mbajtur takim me qytetarë në Komunën e Sarajit. Duke iu drejtuar të pranishmëve kryetari i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se në këto zgjedhje BDI do të përkrah kandidatin konsensual, kandidat që ka mbështetjen e partive më të mëdha politike në vend dhe kandidat që do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

”Tash kemi hapur një kapitull të ri për presidentin e përbashkët. Sot është koha e punës, sot kërkohet sundimi i së drejtës, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, arsim sa më të mirë, shëndetësi më të mirë, infrastrukturë më të mirë pasi ne pretendojmë shumë shpejt me këto vlera që ndërtojmë do të jemi anëtarë të BE-së ashtu siç jemi të NATO-s. Sot ai që nuk lexon që nuk sheh se kah shkon rruga drejt Evropës, drejt ardhmërisë, është i varfër nga idetë. Ne investojmë jo për sot, por për mot, ne investojmë për dekada që vijnë dhe të investosh për ardhmërinë nuk është lehtë pasi dalin ca altoparlant për të penguar, por se a mund ta ndalin hovin, vizionin, përkrahjen, përkushtimin assesi pasi 18-të vite e kanë mbështetur shqiptarët BDI-në dhe kjo përkrahje nuk është e rastësishme pasi ka arritur të jetësoj, materializoj të gjitha programet të shkruara e të folura, u shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.