Greta Zani: Transmetoj emocionin e tekstit dhe muzikës përmes interpretimit tim

greta2

Ajo është një këngëtare e tabanit shqiptar dhe këngët e saj i këndojnë i madh e i vogël. Greta Zani pas klipit të fundit “Të kam dhe s’të kam” është gati për të sjellë në treg një tjetër klip me titull “Rrena rrena kjo dynjo” të cilin ajo do ta lancojë shumë shpejt dhe është e sigurtë në atë që pret prej publikut, duke qenë se tema e kësaj këngë na prek të gjithëve nga pak.

Greta klipi yt i fundit “Të kam dhe s’të kam”, si u prit nga publiku? Si u realizua për të ardhur në formën përfundimtare? Ti vetë je e kënaqur?

Normalisht nga ndjekësit e mi u prit shumë mirë dhe jam e kënaqur që më qëndrojnë gjithmonë besnikë në çdo publikim timin. Kënga është produksion nga Eran ProStudio me muzikë të Vani Rushiti dhe tekst të Vojsava Alija dhe realizimi i klipit nga D’Art Channel të cilët i falendëroj të gjithë këta bashkëpunëtorë të këngës dhe klipit tim..!

Ndërkohë, Greta, kaq shumë vite me muzikën…

Po, shumë vite ndonëse unë me muzikë kam filluar të merrem pasi kam mbaruar gjimnazin,  u bënë 27 vjet që këndoj dhe mendoj që pikërisht tani zëri im ka arritur pjekurinë e duhur dhe mund të them me plot gojën, pa dashur të mburrem, që kam akoma shumë për të dhënë.

Çfarë ka ndryshuar që nga dalja jote e parë në skenë?

Ka ndryshuar mënyra profesionale me të cilën këndoj tani. Një miku im Ekland Hasa, pianisti i njohur tashmë në Shqipëri dhe arenën ndërkombëtare, thotë që artisti është një student i përjetshëm dhe unë ja kam “vjedhur” këtë shprehje, (Qesh) sepse është 100% e vërtetë dhe këtë e kam provuar gjatë karrierës time që do të thotë se nga dalja e parë deri tani kam përparuar për mirë!

Të ndihmon kënga për të qëndruar gjithmonë koherente?

Patjetër që po, unë gjithmonë nuk devijoj nga mendimet dhe bindjet e mia dhe të jesh koherente bashkë me këngën është një plus për të përqafuar gjithmonë me të mirën e gjithçkaje që na serviret në jetë.

Sa interesante mund të jetë jeta e një këngëtareje të njohur si ty?

Hahaha jeta e një këngëtareje të njohur nuk ka shumë dallim nga një person i thjeshtë. Unë zgjohem në mëngjes çoj femijët në shkollë, përgatis drekën, takojmë kolegë, njerëz që na lidh puna, njerëz që duhet të lidhim kontrata për punën e kështu me radhë. Jam tip i thjeshtë dhe të gjithë ata që më njohin mund ta vërtetojnë këtë.

Arrin ta shprehësh gjithmonë atë që do përmes një kënge?

Përmes një kënge në disa raste është dhe jeta jote brenda, por jo gjithmonë, unë mund të transmetoj emocionin e tekstit dhe muzikës nëpërmjet interpretimit tim dhe ja kam arritur në përgjithësi!

Cila prej këngëve të tua është më e duartrokitura?

Këngët e mia duartrokiten gjithmonë jo për mburrje por ngaqë unë këndoj taban dhe nuk ka njeri besoj që nuk e pëlqen muzikën që na personifikon.

Si arrin ta barazpeshosh karrierën me familjen?

Karriera me familjen janë në barazpeshë sepse nuk e le pas dore familjen pavarësisht angazhimeve të mia. Sepse çdo femër në familjen e saj është e domosdoshme keështu që nuk mund t’i lë pas dore as njeren as tjetrën. Unë eci me sloganin që gruaja ka të drejta te barabarta me burrin dhe familja me mbështet goxha në karrierën time dhe unë bëj të njejtën gjë. Pra, komunikojmë në familje për të mbështetur njeri-tjetrin në karrierë.

Ç’mendim ke për muzikën e sotme shqiptare?

Muzika shqiptare ka bagazh të pafund për t’u shfrytëzuar në zhanre të ndryshme. E rëndësishme është që çdo muzikë të vijë tek publiku me emocionin e duhur dhe e përshtatur siç duhet pa prishur skeletin e origjinalitetit.

Cilat kanë qenë dritëhijet e jetës tënde?

Njeriu ka dritëhije në jetë, kjo është diçka që s’mund t’a shmangesh sepse jeta ka të mira dhe të këqija. Por thjesht nuk mund të thuhen në një intervistë apo jo?!(Qesh) Sepse publiku im të paktën jam e sigurt që ka dëshirë të më shohë veç mirë, veç me drite, pa hije. Kështu që hijen po e lëmë mënjanë.(Buzëqesh)

Kur shihesh në pasqyrë, çfarë shikoni dhe çfarë i thoni zonjës përballë?

Nuk shihem shumë shpesh në pasqyrë tanimë. Vetëm kur më duhet patjetër të krihem apo të grimohem. Vetes gjithmonë i kam thënë që jam e fortë përballë çdo sfide që jeta më ka vene. Si çdokush kam dhe unë përplasjet e mia por çdo here në bashkëbisedim me veten dhe atëhere kur e kam parë veten në fund, është pikërisht ajo pikë që më ka shtyrë të ngrihem e të arrij përsëri aty ku kam dashur.

Kush e ka fuqinë të depërtojë në skutat më të thella të shpirtit tënd?

Aty nuk hyn askush përveç meje dhe Zotit, sepse përpiqem të mbyll çdo gjë që mund të më dëmtojë mua apo njerëzit përreth meje.

Çfarë ishte lumturi për ty 20 vjet më parë dhe çfarë është lumturi tani?.

Lumturia ime gjithmonë ka qenë kënaqësia që përjetoj kur bëj dikë tjeter të lumtur. Edhe para 20 viteve edhe tani përjetoj gjithmonë një gëzim me pikë kulminante lumturi kur dikush lumturohet nga një dhuratë apo veprim i imi. Gjithashtu plus sot lumturi është barazim me emrat Deni dhe Dea.

Cilat janë këshillat që u jep fëmijëve, duke qenë se je nënë e një vajze dhe një djali?

Fëmijëve i jap vetëm një këshille lexoni sa më shumë. Një libër sot është një investim për nesër. Gjithashtu të zgjedhin shoqen/shokun më të mirë se veten dhe mos dyshojnë kurrë në dashurinë e prindërve.

Nëse shpirti i  Gretës do kishte fytyrë, e kujt do të ishte ajo?

Pyetje e bukur! Nëse shpirti do kishte fytyrë do ti përkiste veç Zotit të gjithësisë sepse është ai i cili me ka dhene mundesine te jem gjithcka qe jam sot.

A ka për ty gjëra të pamundura?

Normalisht që ka edhe gjëra të pamundura. Mendja e njeriut është gjithmonë në udhëtim ne kohe por jo gjithçka ecën me atë shpejtësi në jetën reale që jetojmë. Kështu që jo çdo gjë që duam mund të realizohet.

Cila është ajo ëndërr që Greta e ka akoma në sirtar?

Është pyetje tashmë rendom kjo nga ju gazetarët hahaha e kam thënë gjithmonë. Do të doja që sot të isha një këngëtare e mirëfillte lirike, por kjo mundësi nuk më është dhënë në jetë. Por kurrë nuk i dihet. Kurrë mos thuaj kurrë.

Kur ke dëshirë të dëgjosh muzikë, çfarë zgjedh?

Dëgjoj shumë etno jazz që njihet si ëorld jazz, që është nëngrup i tradicional jazz i ndërthurur me elemente të ndryshëm muzikore. Bëra pak teori tani..(Qesh) Gjithashtu me pëlqen shume edhe ta këndoj se di me fut në një botë tjetër. Në atë botë ku gjithçka është e mundur. Plus dëgjoj shumë edhe muzike klasike operistike se ajo është endrre në sirtar që kam përmendur.

E ke menduar ndonjëherë se si do të kishte qenë nëse gjithë ç’ke bërë do të kishte qenë universale, e përbotshme, e përjetshme?

Jo nuk e kam menduar kurrë sepse çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Vetëm Zoti është i përjetshëm i përbotshëm. Tek e fundit gjithkush vjen dhe ikën me të mirat e të këqijat e veta.

Në fund…

Jam duke përgatitur një këngë dhe shpresoj që në maj ta nxjerr si produksion në televizion. Meqenëse është gjithçka tanimë e kopsitur po ju them dhe titullin “Rrena rrena kjo dynjo” është një bashkëpunim me tekstshkruesin dhe muzikantin Gëzim Meneri. Shpresoj që do godasi sepse prek një realitet ku të gjithe ne jemi të përfshirë.