“Komitët” të jenë tifoz e jo huliganë

destan

“Komitët”, por jo vetëm edhe ata “komitë” e “çetnikë” të veshur me petkun e politikës dhe shërbimeve pro-ruse edhe njëherë treguan edhe njëherë ndasitë etnike, por edhe politike.

Nga Destan JONUZI

Politikanët e pushtetit dhe opozitës, e sidomos ato shqiptarë duhet t’i thërrasin mendjes dhe të shohin se pse ende nga qendra e Shkupit, për suksesin dhe mos-suksesin e një grupi etnik maqedonas fajtorë kujdestarë ende janë shqiptarët. Nga ana tjetër Qeveria me sa duket ende nuk ka filluar të punojë në konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, për të cilin me dashurinë më të madhe flasin “multikultat” shqiptarë e maqedonas.

Qeveria në mënyrë urgjente duhet të filloi që të dënojë dhe sanksionoj gjuhën e urrejtjes, e jo të ndajë para për ta stimuluar atë. Edhe pse dukuria e sharjes dhe fyerjes ndaj shqiptarëve në terrenet sportive ka qenë prezent në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësimi e këndej. Shqiptarët në këtë shtet janë diskriminuar, rrahur e përbuzur vetëm e vetëm se kërkonin të drejtat e tyre kolektiv. Ku si rrjedhojë solli edhe luftën e vitit 2001. Por, kjo është një çështje tjetër!

Në terrenet sportive gjuha e urrejtjes, diskriminimi, ofendimi në baza etnike, skajshmërisht janë shfaqur pas vitit 2002. Ndërsa, para tre ditësh parullat, këndimi në korrë nga tifozët, por jo vetëm edhe të tjerë, si dhe thirrja e sloganeve nxitëse, ofenduese madje edhe raciste, dëmet materiale në qendër të Shkupit, është e tepërt dhe kulmi që institucionet të ndërmarrin masat e parapara me ligj dhe të procedohen para drejtësisë.

Ose eventualisht të bëhet një prerje, që më tutje të mos mbete asnjë rast i pandëshkuar për gjuhë të urrejtjes mbi baza etnike apo sjellje dhunë. Shikuar kronologjikisht, në sport edhe në të kaluarën sjelljet e tilla kanë nxitur në disa raste edhe kundër reagim nga pala tjetër. Pa ndëshkueshmëria e sjelljeve të tilla e mundëson rritjen e spirales së dhunës dhe urrejtjes, prandaj është koha për të zbatuar ligjin.

Dukuritë e tilla ishin shkas që nga viti 2014 në KODIN PENAL, janë inkorporuar si vepra penale në sferën e sportit, nxitja e urrejtje, siç ishte kjo e pritjes dhe festimi i titullit për hendbollistët e “Vardarit”. Mirëpo, dispozita e inkorporuar në plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal nuk zbatohen në praktikë. E para e punës që duhet të veprojë MPB është që detektojë dhe mbledhë provat dhe ti procedojë në prokurori. Kodi Penal parasheh sanksionim me burg, në të holla madje gjykata mund të vendos që tifozi recidivist përveç se mund të dënohet me burg, në të holla, atij mund t’i shqiptohet masa ti ndalohet pjesëmarrja disa herë madje edhe përgjithmonë në ndjekjen e evenimenteve sportive. Por masa të tilla janë shumë pak ose aspak. Pra MPB duhet të veprojë në mënyra preventive me klubet me grupet e caktuara tradicionale të tifozëve për ti informuar ata për sanksionet eventuale dhe për pasojat.

Shfryrja mbi baza etnike në sport dhe kudo duhet të merr fund, por duhet të fillohet me veprim institucional. Ngjarjet e fundit, fatmirësisht nuk arritën që të nxisin revoltën tek pala shqiptare, por nga partitë politike, shoqata të ndryshme e u apelua me indinjatën më të madhe për sjellje të tilla dhe kërkuan të ndërmerren masa. Ndonëse mund të jetë sportive të jesh “komit”, por vërtetë është e rrezikshme kur ai shndërrohet në racistë.

Zaev dhe të gjithë të tjerët duhet ti ‘përvjelin mangët’ dhe të bëjnë që “Shkëndija”, “Shkupi”, “Rabotniçki” etj., të ndjehen rahat në shtëpinë e tyre. Të bëjnë që “komitët” të jenë tifoz e jo huliganë, pasi që ato kështu edhe janë.