Bekteshi: E ardhmja e industrisë është në specializimin e mençur, digjitalizimin, aplikimin e ekonomisë qarkulluese dhe ndërkombëtarizimin

13.06.2019 4

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi mori pjesë në Konferencën e 3-të ndërkombëtare shkencore mbi biznesin dhe ekonominë, me titull “Nga tranzicioni deri në zhvillim: Sfidat dhe perspektivat”, që u mbajt në Universitetin e EJL-së në Shkup.

Ministri Bekteshi gjatë konferencës foli mbi ndikimin e ekonomisë bazuar në njohuri mbi procesin e krijimit të politikave. Duke prezantuar një pjesë të masave dhe aktiviteteve të qeverisë për të mbështetur ekonominë e cila duhet ti ndjekë ndryshimet e shpejta teknologjike dhe për të ndihmuar kompanitë që t’i përshtaten kushteve të reja më shpejt por njëkohësisht si të rritet bashkëpunimi midis qeverisë, fakulteteve, bizneseve dhe komunave në mënyrë që shfrytëzojnë kapacitetet ekzistuese dhe potencialet, Bekteshi tha:

“Përmes Planit për rritje ekonomike dhe politikën e rishikuar industriale, në fokus kemi vënë industrinë e prodhimit, nxitjen dhe mbështetjen e investimeve, transferimin e teknologjisë, mbështetje për inovacionet, punësimet, bashkëpunim më të fuqishëm mes industrisë e ndërkombëtarizimit. Me një seri të re të masave po përpiqemi ti hapim ardhmëri industrisë drejt specializimit të zgjuar, dixhitalizimin e industrisë, aplikimin e një ekonomie qarkulluese e ndërkombëtare bazuar në prodhime të reja më cilësore dhe më konkurruese”.

“Ne si një ekonomi e vogël që jemi, e rrethuar me shumë avantazhe konkurruese natyrore, të ardhmen e saj duhet ta shofim në rinin e shëndoshë, profesionale, të kualifikuar, kreative, inovative me frymë sipërmarrëse, me qëllim që të shfrytëzojmë kapacitetet ekzistuese. Prandaj, roli i fakulteteve ka një vend të veçantë në krijimin e këtyre politikave, sepse krijon këtë kuadër të ri, i cili duhet të jetë shtylla kryesore dhe bartëse e zhvillimit ekonomik” u shpreh Bekteshi.

Sipas ministrit Bekteshi Republika e Maqedonisë së Veriut me seriozitet i është qasur përgatitjes së Strategjisë së mençur specializuese e cila duhet të jetë gati në vitin 2020. Përgatitja e sidomos zbatimi i kësaj strategjie do të thotë rritje e bashkëpunimit mes sektorit publik, sektorit të biznesit, sektorit për kërkime shkencore dhe inovacione, nxitjen e investimeve private në hulumtime dhe inovacione, qasje në fondet strukturore dhe investuese evropiane , qasje në fondet për kërkime, mjete teknologjike për inovacion dhe transfer të teknologjisë te NVM-të .

Rektori i Universitetit të evropës juglindore, akademik, prof. d-r Abdulmenaf Bexheti foli për sfidat me të cilat ballafaqohet shteti në periudhën pas tranzicionit, duke u fokusuar në diskrepancën e treguesve makroekonomikë gjatë viteve, si dhe në problemin e deficitit tregtar të vendit të shkaktuar nga dominimi i importeve në krahasim me shumën.

“Të gjitha këto aspekte që i diskutuam sot do të merren si lëndë hulumtuese ndërsa konkluzionet do të dërgohen tek krijuesit e politikave ekonomike në vend, sepse vërtetë janë të hapur për bashkëpunim”, tha akademik Bexheti.

Dekanja e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, prof. Dr. Hirije Abazi spjegoi rëndësinë e temës së konferencës shkencore të këtij viti, e cila pasqyron faktin se ndryshime themelore kanë ndodhur në ekonomitë jo-evropiane tranzicionuese , si në karakter ashtu edhe në dinamikën e zhvillimit të tyre, e cila mund të ndikojë në mënyrën në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor , në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO do të përballen me sfidat që kanë përpara.

Në fjalimin e tij, ministri Bekteshi e mirëpriti veçanërisht shembullin e mirë të UEJL-së, i cili me themelimin e një parku teknologjik ndihmon sipërmarrësit e rinj inovativ dhe sipërmarrjet duke i ndërlidhur akademikët, sektorin e biznesit dhe autoritetet lokale dhe nacionale.