5 ditë para se të shkojë në burg, Koçan shkon në spital

sead kocan

Sead Koçani është sëmurë vetëm pesë ditë para se të shkojë në burg. Por, ai deri tani nuk i ka përgatitur valixhet për të vuajtur dënimin me burg prej katër viteve e tetë muajve meqë është i hospitalizuar në njërin prej spitaleve private të Shkupit. Deri tani nuk dihet se cila është arsyeje dhe me çfarë sëmundje përballet ky biznesmen. Koçani zyrtarisht e ka informuar gjykatën se është në spital, por nuk ka dorëzuar dokumentacion dhe diagnozë nga mjeku se prej çfarë vuan.

Nga Penalja njoftuan se kanë marrë vendim që sipas kërkesës së tij të fundit, të prolongojnë shkuarjen në burg, por do të publikojnë të hënën se kur do ta marrin vendimin avokatët dhe biznesmeni i dënuar.

Sead Koçani përpiqet që në çdo mënyrë të mos paraqitet në portën e burgut më 17 korrik. Shpëtim kërkon edhe nga Gjykata Supreme me lutje që në mënyrë të jashtëzakonshme të rishqyrtohet aktvendimi i tij. Në mënyrë të ngjashme nga burgu Supremja e shpëtoi ish-ministren e Brendshme Gordana Jankullovska, por në rastin e Koçanit pengesë mund të jetë sekuestrimi i pasurisë me vlerë prej 17 milionë euro.

Sipas Gjykatës penale, së pari duhet të përfundojë procesi i pagesës së parave e më pas lënda e njohur si “Trust” të dërgohet në Gjykatën më të lartë për vlerësim të jashtëzakonshëm.

Sead Koçan ka përvojë pozitive me Gjykatën supreme. Para dy viteve pasi iu shqiptua masa e paraburgimit ai u arratis. Dy muaj nuk ishte askund. Ai u kthye pasi Gjykata supreme në krye me Jovo Vangellovskin ia anuloi paraburgimin.

Biznesmeni Sead Koçan ishte dënuar për tenderin për nxjerrjen e zgjyrës në REK Bitolla. Sipas aktakuzës ai ka formuar konzorcium të rrejshëm mes kompanisë së tij “Transmet” dhe kompanisë “Sileks Nemetali ST” dhe e kanë fituar tenderin shumë milionësh.

Koçan me vendim të shkallës së parë u dënua me 6 vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 4 vjet e 8 muaj. I akuzuari i dytë Vasilije Aviroviq në vend të dënimit efektiv me burg prej tre vjetësh, mori dënim më kusht. Ndryshe, Vasilije është djali i deputetes Vlladanka Aviroviq, e cila votoi PRO ndryshimeve kushtetuese për ndërrimin e emrit./alsat/