Gjysmë shekulli nga hapi i parë i njeriut në Hënë

austranaut

Më 20 korrik të vitit 1969, astronautët amerikanë Neil Armstrong dhe Edwin Aldrin shkelën mbi sipërfaqen e Hënës, duke u bërë kështu njerëzit e parë që shkelin në të. Agjencia hapësinore amerikane, NASA, po shënon 50 vjetorin e ngjarjes historike duke restauruar dhe rihapur dhomën e kontrollit nga drejtohej misioni historik Apollo 11. Sot është një muze, por çdo cep i tij duket aq i gjallë dhe i vërtetë sikur të ishte viti 1969. Të jep ndjenjën sikur inxhinierët dhe shkenctarët janë larguar prej andej vetëm para disa momenteve.

“Shqiponja u ul”, ishin fjalët e para që inxhinierët e kontrollit të misionit dëgjuan nga Hëna, në ditën që u hap një kapitull i ri i eksplorimit të hapësirës.

“Sapo ishim ulur në Hënë dhe ekipi fiku motorin. Ndërsa bota festonte, ekipi im vazhdonte punën, sepse duhej të siguroheshim që qëndrimi në Hënë nuk ishte i rrezikshëm”, thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve Apollo.

Qendra e Kontrollit të Misionit në Hjuston menaxhoi fluturimet hapësinore për dy dekada të tjera. Në vitin 1992, ekipi i kontrollit u zhvendos në një pjesë më moderne të qendrës hapësinore ndërsa dhoma historike u mbyll.

“Pastrova gjërat që kishin ngelur në dhomë, hodha shishet dhe kanoçet… Kishte mbeturina në koshat e plehrave. Dhoma nuk po përfaqësonte siç duhet momentin historik të qendrës së kontrollit”, thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve Apollo.

Në vitin 2013, një grup restauruesish u angazhuan që t’i kthejnë qendrës pamjen që kishte vite më parë.

“Morrëm mendimin e 35 specialistëve që kontrollonin fluturimet, na treguan butonat që përdornin më shumë gjatë angazhimit të tyre dhe kjo ndihmoi në restaurimin, sepse kuptuam pjesët më të rëndësishme të dhomës”, thotë eksperti i ruajtjeve historike, Adam Graves.

Ekipit restaurues iu desh pesë vjet të hulumtonte çdo element.

Sfida më e madhe ishte që ekranët e mëdhenj të duken saktësisht sikur para gjysmë shekulli.

“Ekrani 1, 2 dhe 5… Për më shumë se një vit nuk dinim se çfarë duhej të shfaqnim në ta gjatë nisjes dhe uljes. Pas hulutmimeve, gjetëm pamjet e përshtatshme që na ndihmuan në rikrijim”, thotë eksperti i ruajtjeve historike, Adam Graves.

Nuk kishte detaje të parëndësishme. Ekipi i restaurimit gjeti taketuke, cigare dhe kanoçe.

Dhoma e restauruar e kontrollit të misionit është e hapur për vizitorë, të cilët mund ta shohin përmes një xhami të madh.

Pamja e pjesës ku ishin ulur familja e astronautit duket poa shtu sikur në vitin 1969, me shumë ekrane që tregojnë shkuarjen në hënë në kohë reale.