Takaj nuk e braktis Skënderbeun

skenderbeu-kampion-2015

Detyrimi moral për të cilin fliste Ardian Takaj duket se ka fituar. Shuhen dilemat te Skënderbeu, përkundër shumë opsioneve të hedhura në treg, përkundër lënies në fuqi të dënimit të UEFA-s në CAS, Skënderbeu nuk ndryshon, do të jetë i njëjti. KF Skënderbeu. Sipas burimeve pranë presidentit, është ky vendimi final i Ardian Takajt, Skënderbe deri në fund, luftë deri në fund në Gjykatën Supreme Federale në Zvicër.

Nuk do të ketë një Dinamo hibride, nuk do të ketë kalim te ndonjë skuadër tjetër e rajonit të Korçës dhe as një zgjedhje të bërë më parë në shumë vende të Europës si në Skoci apo Rumani, ku klubet kanë ndryshuar emër për të evituar penalizimet, duke nisur gjithçka nga Kategoritë inferiore. Skënderbeu do të mbetet Skënderbeu, natyrisht në dritën e vështirësive të hasura në planin financiar, pas lënies në fuqi të dënimit në Lozanë, edhe me ndihmën e Bashkisë së Korçës, skuadra do të përballojë Kategorinë Superiore me shpresën që në fund klubi të dalë fitimtar nga beteja ligjore.

Në planin sportiv, Ardian Takaj pret tanimë Ilir Dajën, ambiciet për ta pasur një strateg të sprovuar disa herë edhe si garanci të suksesit kanë qenë një ndër shkaqet e vonesës së caktimit të timonierit për sezonin e ri, ndërkohë që drejtuesit kanë nisur menjëherë punën për konfirmimin e lojtarëve që do të përballojnë edicionin sportiv, duke nisur edhe tratativat për afrimet e nevojshme.

Një tjetër çështje që rëndon është pa dyshim gjoba prej një milionë eurosh dhe modealitetet e pagesës së saj, por ndërkohë në klubin korçar besojnë se ekzistojnë hapësirat në rregullore që lejojnë interpretimin në mënyrë që gjoba të mos bjerë menjëherë si një “bombë” financiare për klubin, ndaj dhe kanë vendosur të nisin sfidën me një vendim që tanimë duket se është marrë, përkundër gjithë pikëpyetjeve e mëdyshjeve, Skënderbeu mbetet Skënderbeu.