Askush nga PPS nuk është thirrur në bisedë, kush dëshiron që rasti “Reket” të mos hetohet

psp

Video incizimi i publikuar nga gazeta italiane shkaktoi vëmendje të madhe në opinion më shumë se vetë hapja e hetimit për rastin “Reket”. Burime të TV21 nga PPS thonë se me këtë video janë të cenuar prokurorët. Ata kërkojnë hetim prioritar dhe pohojnë se janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Prokurorja që e udhëheq rastin “Perandoria” para rreth dy javëve tha se nuk ka nënshkruar vendime në lidhje me rastin, e as nuk ka pasur kompetenca për këtë.

“Të gjitha vendimet, secili dokument i cili do të del nga kjo PP, i nënshkruan vetëm Katica Janeva dhe në emër të saj, kur mungon, nënshkruajnë prokurorë të autorizuar publik. Unë nuk kam nënshkruar asnjë vendim që ka dal nga prokuroria, as mendim për lëshim nga paraburgimi në paraburgim shtëpiak, e as vendimin për kthimin e pasaportave”, tha Lile Stefanova.

Këtë e konfirmoi edhe burimi ynë. TV21 mëson se Stefanova nuk ka nënshkruar asnjë dokument, e as nuk ka qenë e konsultuar për vendimet për kthimin e pasaportës dhe për masat për paraburgim shtëpiak për Orce Kamçevin nga ana e Katica Janevës. Vendimin për kthimin e pasaportës e ka nënshkruar Elizabeta Josifovska në muajin maj, përderisa Stefanova ka qenë në pushim.

“Jo vetëm që nuk e kam ditur se ekziston incizim i tillë, por jam edhe e neveritur. Pres që Prokuroria për krim të organizuar tërësisht të zbardh rastin. Unë do të bashkëpunoj dhe do të ndaj gjithçka që di, tani nuk mund të them asgjë që të mos e dëmtoj hetimin”, deklaroi Stefanova.

Tani për tani askush nga PPS nuk është thirrur në bisedë informative në Prokurorinë publike, edhe pse disa prokurorë vetë janë ofruar për të dhënë dëshmi. Burimet tona nga PPS pohojnë se fuqi të mëdha dëshirojnë që hetimi për rastin “Reket” të ndërpritet.

Prokurorja Ruskoska për TV21 tha se është në pushim dhe se nuk do të komentoj ndodhitë e fundit. Nga PTHP mësuam se incizimi i sotëm i publikuar nga mediumi italian është autentik dhe se Prokuroria e posedon si provë, por ata pohojnë se incizimi nuk ka dalë nga ky institucion.

Nga PPS pohojnë se hetimi për “Perandorinë” nuk është cenuar për shkak se, siç thonë, ky rast është i vendosur në themele të forta. Pyetëm edhe për shkatërrimin eventual të provave, na u përgjigjën se disa prokurorë gjatë vërshimeve kanë hyrë në hapësirat e bodrumit të PPS-së, nëpër ujë dhe me duart e tyre kanë shpëtuar provat si dhe pohojnë se asnjë provë nuk është dëmtuar.

Prokurorja speciale, Janeva në intervistë për televizionin 1tv, para disa muajve deklaroi se hetimi është kah fundi dhe se shqyrtohen raportet financiare. Por, burimet tona nga PPS thonë se hetimi për rastin “Perandoria” do të zgjas së paku edhe 10 muaj.