Interi prezanton Romelu Lukakun

Lukaku

Romelu Lukaku është zyrtarisht një futbollist i Interit. Telenovela e kësaj vere mes Interit dhe Juves përfundoi me një fund të lumtur për zikaltrit që siguruan shërbimet e një prej sulmuesve më të mirë në qarkullim, ndërkohë që 26-vjeçari belg u shndërrua në blerjen më të shtrenjtë të gjithë historisë së Interit, pasi presidenti Steven Zhang derdhi në arkat e Manchester United 65 milionë euro plus 13 të tjera që mund të shkojnë në formë bonusesh për kartonin e lojtarit me origjinë kongoleze. Pasi kaloi sukses vizitat mjekësore paraditen e të enjtes, Lukaku në mesditë hodhi edhe firmën mbi kontratën 5-vjeçare që do ta lidhë me Interin deri në 30 qershor të vitit 2024.

Në fjalët e tij të para si futbollist zikaltër Romelu u shprehu: “Doja vetëm Interin sepse Interi nuk është për të gjithë, jam këtu për të çuar Interin te fitoret”. Fjalë këto që rritin entuziazmin te tifozët zikaltër të cilët ishin të shumtë në aeroport dhe në zyrat e Conit ku Lukaku zhvilloi vizitat mjekësore për t’i dhënë përshëndetjen e parë bomberit belg, i cili nga kontrata 5-vjeçare me Interin do të përfitojë 7,5 milionë euro plus bonuset, që lehtësisht mund të arrijë deri në 9 milionë euro në sezon. 26-vjeçari bëhet kështu futbollisti më i paguar i skuadrës zikaltër dhe vjen menjëherë pas trajnerit Antonio Conte në hierarkinë e re.