Kamerat, zgjidhje për pastërtinë në Çarshinë e Shkupit

PASTERTIA CHARSHI

Komuna e Çairit dhe Higjiena Komunale janë në prag të përfundimit të tenderit për vendosjen e shportave për bërllok në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Kryetari i Çairit, Visar Ganiu, duke u përgjigjur në një pyetje për gazetën KOHA, theksoi se qytetarët e pandërgjegjshëm në vazhdimësi e kanë dëmtuar të mirën publike.

“Mendoj se duhet një ditë, e sa më parë duhet të iniciohet ideja me Qytetin e Shkupit për vendosjen e kamerave në Çarshinë e Shkupit dhe në këtë mënyrë ta menaxhojmë dhe përcjellim situatën në të ardhmen që edhe qytetarët e pandërgjegjshëm të evidentohen dhe sanksionohen”, tha Ganiu.

Çështja e pastërtisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit për shumë esnaf dhe dyqanxhi paraqet problem të kamotshëm. Qoshet e rrugicave të Çarshisë në fund të do dite mbushen me bërllok. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të punëtorëve për pastrimin e tyre, bërlloku në Çarshi krijon pamje të zymtë për turistët dhe vizitorët. (koha.mk)