Instituti për Shëndet Publik: Të mos përdoret për pije uji në Tearcë

Uji

Instituti i Shëndetit Publik akoma nuk i ka publikuar rezultatet nga analizat e ujit të pijshëm në Tearcë, ku pësuan 350 banorë me virusin rota. Nga ky Institucion apelojnë që uji të mos përdoret assesi për pije.

“Paniku tek masa është i arsyeshëm. Bisedohet për shfaqje të enterokoliteve që manifestohet me të vjella. Alarmi u pranua dhe ekipet dolën në terren bënë regjistrimin e gjithë situatës. Besojmë se ka ardhur shkaku i pastrimit mekanik të një hidrocentrali dhe uji sërish është lëshuar në lumin Bistrica e cila përdoret për pije,e cila besohet se nuk është kloruar sa duhet dhe janë shfaqur enterokolitet. Vend për panik nuk ka por ka vend për të bë kujdes shumë. Në këtë periudhë të përdoret uji i ambalazhuar kurse uji i çezmave të përdoret vetëm si ujë teknik”, tha Ilia Ilioski nga ISHP.

Mjekët nga ana tjetër rekomandojnë që banorët të mos ekspozohen në diell, të kenë kujdes me higjienën dhe mos të frekuentojnë vendet publike për shkak të mos shpërndarjes së virusit.

“Fillon të bie numri i të sëmurëve por edhe gjendja ngadalë ka filluar të stabilizohent. Mos bëhet panik e madhe sepse është kaluese është virus , duhet të merren lëngje, mos dilet në temperatura të larta , mos të dehidrohen dhe të veshin tesha të lehta dhe me ngjyra të hapura”, pohoi Majlinda Dervishi, specialiste e mjekësisë familjare.

Përndryshe, edhe pse dyshimet kryesore për paraqitjen e bakterit rota janë nga uji, nga Ndërmarrja Publike komunale , ende nuk kanë lëshuar asnjë njoftim për mos përdorim të ujit për pije.