“Viva Fresh Store” u hap në Shkup, investim dy milionë eurosh

viva fresh

Interesim tejet i madh, radhë të gjata të pritjes, të gjithë ishin grumbulluar për një qëllim. Ata i numëronin minutat për t’u prerë shiriti, që do të lejonte hapjen e dyerve dhe qytetarët të mund të shërbeheshin nga produktet e brendit kosovar “Viva Fresh Store”, i cili sot bëri edhe hapjen solemne në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i përgjithshëm i “Viva Fresh Store” Bekim Beqiri, bëri të ditur se, bëhet fjalë për një investim prej rreth 2 milionë eurove, me sipërfaqe të kompleksit prej 10.000 metër katrorëve me rreth 30.000 lloje të produkteve dhe me 140 të punësuar.

Bekim Beqiri, drejtor i përgjithshëm i “Viva Fresh Store”

“Është objekti i parë në këtë nivel, me këtë asortiment dhe me këto çmime të përshtatshme. D.m.th. kemi 20 arka, objekti, vetë hiper, marketi është me sipërfaqe prej 5000 metër katror, kurse kompleksi ka diku 10.000 metër katror, me 200 vende për parkim…Në atë pjesë kemi edhe lokale të cilët janë partnerët tanë, me shërbime të ndryshme”.

Beqiri gjithashtu njoftoi se ata nuk do të ndalen me kaq, por kanë synim që edhe të zgjerohen si dhe për pak vite të shndërrohen lider në tregun e Maqedonisë së Veriut.

Bekim Beqiri, drejtor i përgjithshëm i “Viva Fresh Store”

“Pritshmëritë tona janë të mëdha në këtë treg. Ne startojmë me këtë objekt, por nuk ndalemi këtu, zgjerohemi më tutje. Plani afatgjatë është diku në 5 vitet të ardhshme të jemi lideri në tregun e Maqedonisë”.

Brendi “Viva Fresh Store” ka një sukses të padiskutueshëm në Kosovë, ndërsa zinxhiri i këtij brendi ka depërtuar edhe në Shqipëri dhe tani do të jetë i pranishëm edhe në Maqedoninë e Veriut.