Kurban Bajrami, qytetarët vërshojnë tregjet

bakllava

Dikush në radhë për të blerë veshmbathje, dikush zbukurime shtëpie, ndërsa shumë të tjerë në radhë për ëmbëlsira dhe ushqime. Kështu dukej sot Çarshia e Shkupit dhe tregu i Bit Pazarit një ditë para festës së Kurban Bajramit. Gëzimi më i madh vërehej tek fëmijët që tashmë kishin blerë rrobat e Bajramit dhe të tjerët që akoma nuk kishin vendosur se çfarë do të blejnë.

“A ke ble diçka për Bajram? Po, bluzë, pantallona dhe sandale. A do të shkoni mysafirë? Po, te halla, te tezja”.

“A keni vendos me marr diçka? Po, tesha…Bluzë, pantallona, patika. A të ka pëlqyer diçka apo vetëm po i sheh? Vetëm jam duke shikuar”.

“Çfarë dëshiron të blesh këtë Bajram? Dëshiroj pantallona dhe bluzë. Cilën ngjyrë e preferon më shumë? Ngjyrën rozë? Në shtëpi a jeni bë gati, a keni bë bakllavë? Po”.

Edhe këtë festë, jo çdo kush arriti t’i bëj përgatitjet e nevojshme për sofrën e Bajramit. Shumë prej të anketuarve ankohen për kushte të rënda ekonomike dhe paga të ulëta që nuk lejojnë plotësimin e dëshirave edhe në raste të këtilla.

“Janë bë gati po çka me u bë, kur nuk ke mjaftueshëm nuk mund t’i gëzosh të gjithë fëmijët..Dikujt ndonjë palë pantallona, dikujt ndonjë bluzë, ashtu i kemi kalu”.

“Kushtet nuk janë edhe aq të mira po tash duhet t’ia bëjmë disi. Sa keni mbërri të përgatiteni për Bajram. Kemi mbërri disi, duke kursyer nga paga, tashmë një muaj kemi kursyer për ditën e sotme/ Për çka keni kursy më shumë? Për fëmijët dhe për ushqim më shumë”.

Bashkë me festën e Kurban Bajramit mbaron dhe Haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Bajrami kremtohet nesër ndërkohë që manifestimi qendror i faljes së Kurban Bajramit do të zhvillohet në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup në orën 6 e 17 minuta./alsat/