Refuzuan shërbimin e keq, pronari i lokalit në Shqipëri rreh turistët spanjollë

plazhi

Pesë turistë spanjollë, të cilët kishin ardhur për pushime me jaht në Borsh, në jug të Shqipërisë, janë sulmuar nga disa persona, që pretendohet se janë pronarët e një lokali. Ngjarja ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje, ku mësohet se turistëve spanjollë nuk i ka pëlqyer shërbimi në një lokal dhe kanë tentuar të largohen.

Paraprakisht bëhet e ditur se furgoni i turistëve është ndjekur nga pronarët e lokalit, të cilët kanë goditur me grushte turistët dhe drejtuesin e mjetit. Më pas kanë nxjerre armë të ftohta dhe kanë tentuar t’i godasin. Ata kane thyer xhamin e furgonit, i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Furgoni ka arritur të largohet deri në vendin e quajtur Volloder ku është pikasur nga një furgon i FNSH, i cili ka dhënë ndihmën e parë. Forca të shumta të policisë së Himarës, Sarandës dhe forcave të policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në furgon ishin 5 spanjolle, shoferi dhe shoqëruesi nga Saranda. Ata kishin ardhur me jaht në Sarandë.