“Është e vështirë të bësh gazetari në Gaza”

gazetaria ne gaza

Ish-gazetarja e “New York Times” për Gazën, Majd el Waheidi thotë se është e vështirë të bësh gazetari në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gazetarët punojnë sikurse në një spital të hapur, por për këtë spital nevojitet një njësi e kujdesit intensiv”, tha Waheidi në Ankara ku në bashkëpunim me Zyrën e Komunikimit Global të OKB-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë është duke u zhvilluar “Seminari Ndërkombëtar 2019 i OKB-së për Media me temë: Paqja në Lindjen e Mesme”.

Sesioni i dytë i seminarit të titulluar “Situata në Gaza: Sfidat në Prodhimin e Lajmeve” u përqendrua në problemet, vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballen gazetarët derisa bëjnë lajme për Gazën.

Hulumtuesi, mysafiri nga Universiteti “London School of Economics” (LSE) Dr. Ian Black, në një fjalim bëri një vlerësim të vështirësive të raportimit në mënyrë të paanshme për çështjen palestineze dhe sigurinë e gazetarëve.

Duke marrë parasysh problemet midis Izraelit dhe Palestinës dhe dimensionin politik të çështjes, Black theksoi vështirësinë e mediave për të mbetur të njëanshm. “Është shumë e vështirë të bësh gazetari në një vend si Gaza që ndodhet nën bllokadë”, tha ai.

Pasi ka rikujtuar se Intifada (kryengritja) e parë në vitin 1987 në Palestinë ka filluar nga qyteti i Gazës, Black tha se në atë periudhë gazetarët nuk janë përballur me probleme për qasje në Gaza, por se kjo është vështirësuar pas vitit 2006.

Krizat humanitare dhe tensionet në Gaza i prekën të gjithë, tha Black duke shtuar se ata janë prekur nga problemet e përgjithshme, përfshirë gazetarët palestinezë si dhe ato që punojnë për mediat e huaja në rajon.

“Rutina e fatkeqësisë”

Analistja e gazetës ‘Haaretz’, Amira Haas tha se media izraelite në kuptimin e gjerë vepron me gojën e politikanëve izraelitë.

“Unë flas si një gazetare izraelite, gazetarët izraelitë varen plotësisht nga konceptet e fjalëve dhe botërat e mendimit të mediave izraelite dhe politikanëve”, tha Haas duke bërë të ditur se termi botëror i mediave është i kufizuar.

Pasi ka shpjeguar se ndërkohë që ushtronte profesionin e saj u krijua nevoja që të zgjidhte fjalë të ndryshme për lajmet rajonale Haas ka ndarë pikëpamjen e saj se “Unë duhet ta shpjegoj veten me fjalët që gjeta. Përpiqem të përdor fjalë të tjera përveç termave normale. Nëse duhet ta them me 200 fjalë, më duhet ta shpreh me 20 fjalë. Sepse jam e detyruar të gjej fjalë të reja. Ne po flasim vazhdimisht në media për Gazën si një prani e veçantë. Nëse më duhet të shprehem qartë ne e trajtojmë çështjen palestineze si një çështje më vete dhe Gazën një tjetër më vete”.

Është një problem i madh që shtypi izraelit nuk bën lajmin e të vërtetës, theksoi Haas e cila ka bërë vlerësimin e saj se “Ne si gazetarë izraelitë jemi të sigurt. Unë vij këtu, kritikoj vendin tim Izraelin, nuk ndëshkohem kur kthehem në vendin tim për kritikat e mia. Ndërsa gazetarët izraelitë që heshtin kanë një përgjegjësi të madhe”.

Struktura e Gazës

Haas ka rikujtuar se ka jetuar për 3 vite në Gaza. “Struktura e Gazës është me të vërtetë e dendur. Gaza ka një strukturë të ndryshme në krahasim me qytetet e tjera palestineze si Ramallah”, tha ajo.

Duke thënë se si gazetare, ajo nuk mund të shkruajë gjëra që nuk i ndien dhe se ajo ka patur mundësinë t’i shohë njerëzit dhe ngjarjen kur ka vizituar rajonin, Haas shtoi më tej se “Duhet ta shikoja se mos ndosha ishte një ekzagjerim. Nuk mund të jeni të sigurtë për atë që shprehni nëse nuk shkoni atje”.

Kur mediat përmendin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin mendjet janë të kontaminuara me “rutinën e fatkeqësisë” tha Haas.

“Media dëshiron të raportojë për gjëra të reja. Këto fatkeqësi bëhen si rutinë. Bëhet interesante kur kumtohet një lajm rutinë ose historia e një personi. Por, nëse bëhet e vazhdueshme dhe e ngjashme, kjo shndërrohet në ‘oksimaron‘ (oxymoron). Gazetarët nuk e pëlqejnë këtë oksimaron. Edhe lexuesi mund të mos e kuptojnë sesa e rëndë është situata”, thekson Haas.

“Të okupuarit janë më bujarë në dhënien e informacionit”

Haas ka tërhequr vëmendjen se Izraeli kontrollon median dhe krahas kësaj përpiqet t’i bashkojë në një strukturë edhe inteligjencën kundër popullatës së rajonit.

“Izraeli mbledh informacione mediatike nga një gamë e gjerë organesh të ndryshme. Ka komitete koordinimi, gjithashtu mbledh informacione direkte edhe nga autoritetet palestineze dhe kontrollon të dhënat e popullatës, kush u sëmur, kush u transferua, babai i të cilit vdiq, cila familje është shtuar me fëmijë. Ata gjithashtu kanë bashkëpunëtorë dhe diplomatë që u japin atyre informacione. Ata që janë okupuar janë më bujarë në dhënien e informacionit sepse janë nën okupim. Ëshhtë shumë e vështirë të marrësh informacione nga Hamasi dhe Organizata Çlirimtare e Palestinës”, tha Haas.

Metoda më të mençura dhe të reja të diplomacisë me izraelitët

Edhe ish-gazetarja e “New York Times” për Gazën, Majd el Waheidi, ka bërë të ditur se është e pamundur të flitet për të drejtat dhe liritë politike në Gaza.

Waheidi përmendi vështirësitë dhe rreziqet e transmetimit të lajmeve nga rajoni dhe tha se gazetarët në Gaza kanë vështirësi në gjetjen e mënyrave.

Ajo potencoi se gazetarët nuk janë përgjegjës për sjelljen e paqes ose krijimin e politikave në këtë drejtim dhe se prodhuesit e lajmeve në Gaza nën bllokadë kanë nevojë për një “njësi të kujdesit intensiv”.

Pasi ka bërë të ditur se përfaqësuesit e mediave izraelite dhe palestineze duhet të gjejnë zgjidhje se si ata mund të punojnë së bashku, Waheidi tha: “Ne duhet të gjejmë një mënyrë dhe një rrugë që gazetarët të punojnë së bashku. Këta gazetarë punojnë sikurse në një spital të hapur, por për këtë spital nevojitet një njësi e kujdesit intensiv”.

Sipas saj, nëse gazetarët palestinezë largohen plotësisht nga Gaza dhe rajoni, zëri i dëgjuar nga Gaza nuk mund të dëgjohet më. “Mendimi im si një gazetare palestineze është se ne duhet të gjejmë metoda më të mençura dhe të reja të diplomacisë me izraelitët për zgjidhjen e problemeve”, tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Media me temë Paqen

Seminari Ndërkombëtar 2019 i OKB-së për Media me temë Paqja në Lindjen e Mesme që është duke u zhvilluar në Ankara me bashkëpunimin e Zyrës së Komunikimit Global të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme do të përfundojë sot.

Temat kryesore të seminarit të këtij viti përfshijnë situatën humanitare në territoret e okupuara palestineze, sfidat me të cilat përballen gazetarët që kërkojnë të përcjellin lajme nga Gaza, analizën e lajmeve për ndikimin e konfliktit izraelito-palestinez mbi gratë dhe mbrojtja e etiketimit (hashtagut) në konfliktin izraelito-palestinez.