Ulet TVSH-ja për makinat e reja dhe të përdorura

veturaaa

Tatimi i vlerës së shtuar për automjetet e importuara mund të ulet nga 18 në nën 5%, por vetëm për një periudhë të kufizuar. Kjo u konfirmua nga qeveria sot pasi dje në “Magazina Ekonomike” e konfirmoi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Para se të merret vendimi përfundimtar, nga Qeveria thonë se do të ketë debate publike me të gjithë palët e interesuara, në mënyrë që të përcaktohet se si masa do të ndikojë në arkën e shtetit. Jozyrtarisht mësojmë se shumica e anëtarëve të qeverisë janë për një ulje të përkohshme të TVSH-së, të makinave të përdorura dhe të reja, e jo për masën e subvencionit gjatë blerjes së një makine.

Masa që për momentin shqyrtohet, por ende nuk është miratuar, parasheh TVSH-ja për makinat prej 18% në nën 5% të ulet në periudhën prej 6 deri 12 muaj dhe të filloj të zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm- thonë nga Qeveria.

Ministri i Ekonomisë dje për Alsat njoftoi se plani B apo opsioni të ulet TVSH-ja për importin e makinave të vjetra apo të reja është në procedurë në Qeveri, me qëllim që të evitohet rreziku që një pjesë e qytetarëve që do të aplikonin për ndihmë shtetërore për blerjen e makinës, të mbeten duar bosh, në rast se harxhohet fondi i caktuar për subvencionim.

Nuk është hedhur poshtë ideja për tre mijë euro, ne po punojmë paralelisht për implikimet fiskale, por po punojmë gjithashtu edhe në atë se sa qytetarëve mund t’u ndihmojmë me masën e parë dhe të dytë. Informacionet fillestare që vijnë janë se është më mirë të shkojmë me masën e dytë pasi kjo do t’i lejojë të gjithë qytetarët e interesuar të importojnë makina të reja-tha Kreshnik Bekteshi.

Në versionin fillestar të ndryshimeve në Ligjin për Automjete ishte planifikuar që automjeti i vjetër të lihet në depot e automjete, më pas automjeti i dorëzuar të ç’lajmërohet në Ministrinë e Brendshme dhe atje të dorëzohet libreza e trafikut. Vetëm atëherë qytetari i interesuar duhet të blejë automjet me standard Euro pesë, por për çmimin deri në 12 mijë euro. Pastaj, me të gjitha dokumentet, aplikon në Ministrinë e Ekonomisë dhe pret që shteti t’ia kthejë tre mijë euro./Alsat/