Aksion i policisë në 24 qytete, sekuestrohen armë dhe drogë

Policia_21

Gjatë një aksioni policor mbrëmë dhe sot në mëngjes,  policia ka konfiskuar një sasi të madhe droge dhe armësh. Bëhet fjalë për aksion tw koordinuar të policisë që është realizuar në 54 lokacione të 24 qyteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nga MPB kanë njoftuar se aksioni i koordinuar policor është zbatuar me qëllim të parandalimit të veprave penale të lidhura me tregtinë ilegale me drogë në territorin e shtetit.

Zuzana Pranjiq Talevska

“Më datë  20.09.2019, janë realizuar kërkime të njëkohëshme në 24 qytete, Shkup, Kumanovë, Kratovë, Veles, Sveti Nikollë, Makedonska Kamenicë, Shtip, Strumicë, Radovish, Gjevgjeli, Probishtip, Koçan, Vinivë, Dellçevë, Negotinë, Kavadarc, Manastir, Prilep, Tetovë, Gostivar, Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë) në gjithësej 54 lokacione ”.

Gjatë këtij aksioni janë gjetur dhe konfiskuar sasi të lëndeve narkotike dhe armëve dhe të njejtat janë dërguar për analizë teknike dhe ekspertizë.  Ndërsa nga MPB njoftojnë se gjatë dy muajve të fundit janë konfiskuar 22 kilogramë marihuanë dhe sasi të shumëta të lëndëve tjera narkotike dhe armë.

Zuzana Pranjiq Talevska

“Nga masat dhe aktivitetet e zbatuara deri më tani nga ana e MPB-së për luftën kundër dilerëve të rrugës, në korrniza të hetimit kriminalistik, në dy muajt e fundit janë konfiskuar gjithësej rreth 22 kilogramë marihuanë, 545 rrjedha të marihuanës, fara të kanabisit, kokainë, 1.880 mililitra metadon, rreth 200 tableta ekstaza, amfetaminë, heroinë dhe vaj hashashi.  Përveç kësaj janë konfiskuar edhe tre pistoleta, një pushkë gjuetie, një bombë dore, 56 plumba me kalibër të ndryshëm, nga katër peshore, si dhe shtatë automjete motorike dhe një motoçikletë”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë më tej se janë ngritur gjithsej 30 kallëzime penale, ndaj 36 personave, prej të cilëve për 18 është përcaktuar masë paraburgimi dhe një masë kujdesi. Për kallëzimet penale të dorëzuara, 26 janë për vepër penale “prodhim dhe tregtim i paautorizuar i barnave narkotike, substancave psikotrope dhe pararendësve” dhe katër për vepër penale “prodhim, posedim dhe shitje e paligjshme e armëve dhe eksplozivëve ”. Nga MPB poashtu informojnë se aktivitetet në këtë drejtim do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me intensitet më të madh si dhe masa të përforcuara./Shenja/