Barcelona befasohet në Andaluzi, mposhtet nga Granada

rakitic

Transfertat janë shndërruar në një makth për Barcelonën e këtij sezoni, që në 4 ndeshje larg “Camp Nou”-t mes kampionatit dhe Championsit, nuk ka arritur të fitojë ende, duke regjistruar dy barazime dhe dy humbje, më të fundit prej të cilave mbrëmjen e sotme.

Katalanët u thyen me rezultatin 2-0 sonte në transfertën andaluziane ndaj Granadës, që zhvilloi një 90-minutësh në kufijtë e perfektes dhe arriti të shënojë nga një gol për çdo pjesë, me Azeez e Vadillo me penallti, duke marrë një 3-pikësh me shumë vlera.

Trajneri Valverde kishte thuajse të gjithë formacionin në dispozicion, ndërsa në pjesën e dytë hodhi në fushë edhe yllin e skuadrës Lionel Messi, talentin Ansu Fati dhe kilenin Arturo Vidal, por nuk ia doli të shmangë humbjen.

Pas 5 javësh kampionat, Barcelona ka arritur të marrë vetëm 7 pikë, pra më pak se gjysmën, ndërsa Granada është ngjitur përkohësisht në krye me 10 pikë, po aq sa kanë edhe Sevilla e Atletico Madrid.

Këta të fundit nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në transfertën e zhvilluar pasditen e sotme ndaj Celta Vigos, ku ndikoi jo pak edhe lodhja e mesjavës në Champions.