Gashi: Qytetarët e Kosovës meritojnë një të ardhme me dinjitet

Gashi

Qytetarët e Republikës së Kosovës këtë të diel, më 6 tetor, do t’u drejtohen kutive të votimit. Kjo ditë do të jetë e një rëndësie të veçantë për bashkëkombasit tanë matanë kufirit.

Qytetarët e Kosovës meritojnë një të ardhme me dinjitet, si në çdo shtet evropian. Në këto zgjedhje ata do të dëshmojnë këmbënguljen për vazhdimin e shtetndërtimit, përkundër sfidave që i presin të gjitha shtetet e Ballkanit në rrugëtimin tonë drejt integrimit europian.

Si kryetar i Alternativës, jam i bindur se vullneti i popullit do të jetë vendimtar për qeverisjen e ardhshme, ngaqë Kosova ka dëshmuar se është e gatshme të zhvillojë zgjedhje demokratike, për dallim nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon të përballet me procese të lënduara zgjedhore.

Të dashur bashkëkombas, më 6 tetor ju me votën tuaj rikonfirmoni se jeni sovrani i vetëm absolut. Me votën tuaj keni mundësinë të ndëshkoni ose t’i jepni rast për të qeverisur një partie të caktuar, sidomos në këto zgjedhje kur Kosova po dëshmon se ka kuadro dhe kapacitete për ta ndërtuar të ardhmen e saj të bazuar në programe

Emrat e përveçëm të kandidatëve për kryeministër janë një vlerë e shtuar në këto zgjedhje, madje edhe në aspektin e barazisë gjinore, por në fund uroj që të fitojnë subjektet që i keni për zemër.

Vetëm populli mund të sjellë ndryshime.