Mhill Gjuraj:”Gjaku i arbrit rron- Joe DioGuardi, krenari e gjenit dhe qenësisë shqiptare”

FB_IMG_1570174779124-569x1024

Asnjë më mirë se Joe DioGuardi nuk e prezanton fatin e kombit shqiptar, dashurinë e njeriut për atdheun dhe admirimin e bashatdhetarëve për të për së gjalli. Në pasqyrimin e fatit të një kombi, guximi, kujtesa dhe dashuria manifestohet në mënyra të ndryshme, shqiptarët e kanë rrezikun më të madh nga harresa, asimilimi dhe tëhuajsimi i vetive dhe karakterit nacional.

I lindur në Itali, babai i DioGuardit, emigroi në Amerikë. Joe DioGuardi do të rritet si arbëresh, kësaj dege të kombit që për 500 vjet, nuk e harroi as gjuhën, as kombin, as dashurinë për atdheun e të parëve.

Ai, në kulmin e shkëlqimit, i kthehet rrënjëve të veta, rrënjëve shqiptare, duke theksuar se ishte shqiptar nga Italia, apo arbëresh, këtij gjaku që rron me shekuj, i cili nuk harronte origjinën e vet fisnike dhe të lashtë, të farës së Skënderbeut, të Kryezotit arbëror, të krenarisë shqiptare.

Të dalësh në mbrojtje të shqiptarëve, në vitet ’80, ishte shumë e vështirë, kur dihej politika tinëzare e ish Jugosllavisë, aleancat e fshehëta e publike të Titos anekënd botës, në veçanti duke gënjyer botën se çështjen e minoriteteve e kishte zgjidhur në mënyrë ideale. Andaj, DioGuardi, ishte një yll në qiellin e mbrojtjes së shqiptarëve në djepin e demokracisë, në vatrën e gardianit të lirisë botërore, në ShBA, kundër një shteti që shtypte shqiptarët.

Kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981, e deri në rënien e komunizmit, kur kongresmenët amerikanë filluan ta shtrojnë çështjen e Kosovës në Kongres dhe senatorët në Senat, DioGuardi do të ishte orientuesi më i denjë i kësaj përkrahje që do të kurorëzohej me bombardimet gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

DioGuardi do të bëhej avokat i Kosovës dhe shqiptarëve, do të bëhej engjëlli mbrojtëës i kombit të vet, kombit të Kryezotit Skënderbe.

DiuGuardi do të hapte dyert e të gjitha institucioneve madhore për shqiptarët dhe të drejtat e tyre. Në Kongres, në Senat, në Shtëpinë e Bardhë, në Zyrën Ovale.

Dioguardi, në diplomacinë botërore, do të bëhej avokati më i mirë i kombit të vet, duke rikonfirmuar se gjaku i arbrit rron. Vendit të tij të origjinës do t’i siguronte vend e respekt në kancelari, duke siguruar përkrahje e mbrojtje. Do të bëhej prijëtar i mbledhjes së fondeve, demonstratave, mbrojtës i kombit shqiptar.

Sot e gjithë ditën, kombi shqiptar kudo jeton, i ka borxh të madh Joe DioGuardit për ndërkombëtarizim dhe mbrojtje të çështjes shqiptare, atë borxh, nuk mund t’ia paguaj ndryshe shqiptarët, vetëm duke u bashkuar nën flamurin kuq e zi, duke mbrojtur shqiptarët kudo jetojnë, me frymën e të Shenjtes Nëna Tereze.

Joe, lum kombi që të ka, vërtetë gjaku i arbrit rron, e do të rrojë!