Kampionët emërojnë trajner të ri (VIDEO)

Ernest Gjoka

Ernest Gjoka ka marrë drejtimin e Shkëndijës së Tetovës. Tekniku 49-të vjeçar nga Tirana ka firmosur kontratë profesionale me kuqezinjtë dhe menjëherë pas zyrtarizimit do të fillojë punën me seancën e parë stërvitore të caktuar sot pas dite.

Ernest Gjoka është një prej trajnerëve që ka fituar trofe vitet e fundit në Shqipëri, pasi ka drejtuar Kukësin në dy kohë drejt triumfit në Superligën shqiptare dhe Kupën e Shqipërisë. Përveç Kukësit, Gjoka në karrierën e tij si trajner ka punuar edhe me Vllazninë e Shkodrës, Kamzën, Flamurtarin e Vlorës, Tomorin dhe Apoloninë.

KF Shkëndija ka falemenderuar Erhan Selimin, për kontributin dhe rezultatet pozitive gjatë periudhës si ushtrues i detyrës së trajnerit, duke i uruar suksese në vazhdimësi si drejtor i shkollës së futbollit të kuqezinjëve.