Ja sa ka harxhuar për dreka dhe darka kabineti I Ramushit!

haradinaj_5518-650x358.jpg

Gati 700 mijë euro është shuma e harxhuar gjatë dy vjetëve në dreka zyrtare nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij në zyrë.

Ai me stafin politik, që e ka mbështetur, i kanë kushtuar buxhetit të shtetit gati 5 milionë euro.Të dhënat janë prezantuar në një pasqyrë shpenzimesh, të cilën Zyra e kryeministrit ia ka prezantuar “Kohës Ditore”, pas një kërkese për qasje në dokumente publike. Brenda afatit ligjor, ky institucion nuk i ka ofruar të dhënat.

Ndërkaq, ato janë përcjellë, vetëm pas një ankese që gazeta ka bërë në institucionin e Avokatit të Popullit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të dhënat e ofruara nuk janë konform kërkesës. Ato pasqyrojnë shpenzimet komulative për disa kategori, e që janë bërë nga i gjithë stafi politik i Zyrës së kryeministrit, por jo veç e veç nga Haradinaj, nga secili zëvendëskryeministër dhe secili prej anëtarëve të kësaj zyre, që janë emëruar me vendim politik.