A po ndërpritet zgjerimi i Unionit Evropian?

EUROPA

Refuzimi i presidentit francez Emanuel Makron për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë zemëroi liderët evropian. Sipas portalit “Politiko” liderët evropian kanë paralajmëruar se refuzimi për marrjen e datës do të shkatërrojë besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe kjo gjendje do të jetë në favor të forcave rivale në Ballkan si Rusia, Turqia etj. Ndërsa Deutsche Welle shkruan se as përpjekjet e kancelares gjermane Angela Merkel, nuk ndihmuan për ta bindur Macronin për dhënien e datës për të dy vendet. Kredibiliteti i BE-së dhe pasojat në shtetet e Ballkanit, pra zhgënjimi dhe zbehja e vullnetit për reforma, duket se nuk janë të rëndësishme për presidentin francez kundrejt argumenteve të politikës së brendshme.

“Unë besoj se nëse do të kishim hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut, duke lënë anësh Shqipërinë, do të ishte një gjë e tmerrshme për rajonin. Besoj se kishte me qenë një dështim politik, social dhe jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha vendet në të cilin jetojnë komunitet shqipfolës, siç është në Kosove e më gjerë”, tha Emanuel Makron.

Për vendimin negativ të Këshillit Evropian kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në reagimin e DASH-it theksojnë se ndjehen thellë të zhgënjyer me vendim e Këshillit Evropian.

“Ne jemi të zhgënjyer që Këshilli Evropian nuk njohu përpjekjet për reformat e forta të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur tani negociatat për anëtarësim. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara theksojnë se do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën e tyre drejt reformave në gjyqësor, sundimin e shtetit ligjor, dhe për të zhvilluar ekonomitë e tyre.

Por a po nënkupton ky vendim negativ ndërprerje të zgjerimit të Unionit, u pyet Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod-Junker.

“Nëse ky është fundi i zgjerimit ne duhet të përballemi me kritika. Sepse ne i inkurajuam këto shtete, i ndihmuam, i vizituam dhe bëmë premtime publike për këto shtete. Nëse duam të na respektojnë, ne duhet t’i mbajmë premtimet tona”, thotë Zhan Klod Junker.

Debati për zgjerim dhe dhënien e datës për çeljen e negociatave me BE-në, liderëve në Këshillin Evropian u mori pjesën më të madhe të kohës, ndërsa vendimi negativ erdhi në ditën e dytë dhe të fundit të Samitit të liderëve të BE-së.