Për 5 vjet nataliteti në Kosovë bie mbi 30%

auto_bebe-7-822x5181573138452

Kjo ulje për vetëm 5 vjet po konsiderohet shumë e rrezikshme për shtetin e Kosovës, për familjen, ashtu edhe për shoqërinë dhe është ulja me madhe në historinë e Kosovës, të shteteve të Ballkanit dhe Evropës. Faktorët kryesor që po shihen si shkaktar i rënies së natalitetit në Kosovë janë kushtet e vështira ekonomike, ligji i lehonisë, planifikimi familjar, politikat shtetërore dhe migrimi më i madhi në Ballkan dhe Evropë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në të gjithat maternitetet në Kosovë, numri i lindjeve ka shënuar rënie çdo vit. Në vitin 2014, janë regjistruar 32,087 lindje, në vitin 2015, janë regjistruar 31,116 lindje, në vitin 2016, janë regjistruar 30,069, në vitin 2017, janë regjistruar 30,025 lindje dhe në vitin 2018, janë regjistruar 22,761.

Për rënien e natalitetit flasin edhe statistikat e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas të cilave në vitin 2014 kanë qenë 10 mijë e 307 lindje, në vitin 2015, 9 mijë e 443 lindje, në vitin 2016, 10 mijë e 139 lindje, në vitin 2017, 10 mijë e 161 lindje, në vitin 2018, 9 mijë e 963 dhe në 9 mujorin e vitit 2019, 7 mijë e 256 lindje.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli tha për KosovaPress, se është bërë si një lloj “trendi”, në vendet e zhvilluara ku qiftet vendosin të bëjnë fëmijë sa edhe kanë mundësi t’i mbajnë ata.

“Rënia e natalitetit është një trend i vendeve të zhvilluara, do të thotë edhe në vendet në zhvillim kemi rënie të natalitetit. Kjo për arsye se në rend të parë është planifikimi familjar sepse secili qift bashkëshortor dëshiron të lind fëmijët sa ka mundësi aq sa mund t’i mbajë. Kjo ndryshon nga vendet jo në zhvillim ku secili qift kishte nga 4- 5 fëmijë, kurse në kohën e sotme qiftet bashkëshortore planifikojnë familjen dhe zakonisht bëjnë 1 apo 2 fëmijë. Kjo mendoj se është njëri ndër shkaktarët kryesor të rënies së natalitetit i cili e përfshin edhe vendin tonë Kosovën”, tha ai.