Milan dhe Inter në garë për yllin e PSG-së

milan-7.jpg

Përveç nevojave në sulm, Milani kërkon edhe një përforcim për të djathtën e prapavijës. Si Kalabria e ashtu edhe Konti nuk japin garanci, pavarësisht se ky i fundit ka shënuar ngritje në takimet e fundit. Sidoqoftë, sipas “L’Equipe”, objektiv tjetër i “Djallit” është Levin Kurzaua.

kurzawa

Francezi kërkohet edhe nga disa klube angleze e në janar kartoni i tij do t’i kalojë ekipit që ofron më shumë, duke qenë se PSG do ta shesë për të mos e humbur pa përfituar në qershor kur 27-vjeçarit t’i skadojë kontrata. Parisienët duan të arkëtojnë rreth 6-7 milionë euro, por për Milanin në këtë kontekst do të jetë vendimtar Rikardo Rodrigezi.

Nëse zvicerani shitet, Boban e Maldini do të kenë paratë e mjaftueshme për të synuar Kurzauan, teksa njëri mes Kontit dhe Kalabrias do të huazohet. Për 23-vjeçarin e rritur në akademinë kuqezi ka interes nga Mançester Junajtid dhe Arsenali, teksa në Itali situata e tij monitorohet me vëmendje nga Roma ku Florenci nuk bind më, ndërsa Spinacola vijon të bëjë ecejake në infermieri.

Sa i përket Kontit, ai vazhdon të jetë një dëshirë e Verder Bremenit dhe Parmës. Të dyja këto skuadra e patën kërkuar edhe gjatë verës së kaluar, por asnjëra syresh nuk mori përgjigje pozitive, sepse ishte mbrojtësi që vuri veton për të mbetur te kuqezinjtë.

Duke u rikthyer te Kurzaua, ai është edhe një synim i Interit për merkaton e janarit. Teksa derbi në kampionat nuk ka histori prej disa sezonesh, ai i tregut të futbollistëve mund të pasurohet me një tjetër episod interesant, siç është ky për 27-vjeçarin e PSG-së.

Zikaltrit, në fakt, qëndrojnë në pritje, sepse nëse Roma afron një mbrojtës të djathtë, do të lironte Florencin. Ishkapiteni verdhekuq ka përfunduar në kufijtë e projektit të Fonsekës dhe do ta mirëpriste një transferim në Milano, ku Konte mund t’i garantonte më shumë hapësirë, duke parë karakteristikat e lojtarit që mund të luajë në prapavijë, por edhe në mesfushë ku Interi ka jo pak nevojë për prurje.