Xhaka befason të gjithë me veturën me të cilën shkoi në stërvitje

Screenshot_1-151-600x360

Granit Xhaka është fotografuar duke u largua nga seanca stërvitore e Arsenalit me një veturë të vogël nëntë mijë funtëshe, në mëngjesin e të premtes, kur trajneri Unai Emery u shkarkua nga posti i tij.

Bashkëlojtari i Granit Xhakës, Pierre-Emerick Aubameyang, në anën tjetër, erdhi në qendrën stërvitore me veturën e tij luksoze Lamborghini, që kushton 270 mijë funte, transmeton Gazeta Express.

Dy futbollistët erdhën në këtë stërvitje të së premtes dhe e mësuan lajmin se trajneri i tyre është shkarkuar, 18 muaj pasi e kishte marrë atë post, si pasardhës i Arsene Wengerit. Emery kishte qenë nën shumë presion në postin e tij gjatë kohës së fundit, pasi që tifozët vlerësonin se ai nuk kishte arritur ta çonte skuadrën e Arsenalit përpara gjatë kohës sa e drejtoi këtë klub.

48-vjeçari Emery ishte emëruar trajner i Arsenalit më 1 korrik të vitit 2018. Gjatë periudhës sa ka qenë në këtë post, ai i ka fituar 43 ndeshje, i ka barazuar 15, ndërsa i ka humbur 20.

Postin e trajnerit të përkohshëm në Arsenal tani do ta mbajë Freddie Ljunberg, tek i cili klubi tha se ka besim të plotë se do ta çojë ekipin përpara.

Ljunberg ishte pjesë e Arsenalit si futbollist nga 1 shtatori i vitit 1998 deri më 1 korrik të vitit 2007. Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist, ai ishte pjesë e Arsenalit në disa postë të ndryshme si përfaqësues i klubit, trajner i ekipit të të rinjve, trajner i ekipit U-23 dhe ndihmëstrajner. Tani ai do ta ushtrojë detyrën e trajnerit të ekipit të parë përkohësisht. /Gazeta Express/