Në Kongresin e BDI-së pritet të ketë ndryshime të mëdha

BDI-Ndryshime

Ndryshime të reja statutore dhe dokumente programore do të ketë në BDI pas Kongresit të katërt më 21 dhjetor ku edhe sot është biseduar në mbledhje të Kryesisë qendrore të partisë që është mbajtur në selinë në Reçicë të Vogël në Tetovë. Sipas parashikimeve të udhëheqësisë, konform statutit do të ketë tre trupa të ri partiak.

“Bëhet fjalë për formim të Këshillit kombëtar, Komision partiak zgjedhor e cila do të punojë çdoherë për zgjedhje në të gjitha organet e partisë. Është paraparë të ketë edhe Kongres të vazhdueshëm të cilin do ta prezantojnë një e treta e anëtarëve të deleguar nga degë të cilët do të punojnë deri në çdo Kongres dhe pas Kongresit që të jetë jetëgjatësia e BDI-së”, ka deklaruar Artan Grubi nga BDI.

Të gjitha këto dokumente do t’u jepen degëve, por edhe opinionit më të gjerë të ekspertëve.

“Dëshirojmë të dëgjojmë mendim, të gjitha informacionet e mara nga debati publik siç janë vërejtjet nga degë ose mendimi i ekspertëve të inkorporohen në Propozim- rezolutën e Kongresit të 4-të”, ka thënë Grubi.

Në pyetjen e gazetarëve për vetingun dhe përgjegjësinë politike, Grubi ka thënë se BDI ka ide për zbatim gradual me ligj adekuat.

“Vetingu është zgjidhja më e mirë e mundshme, BDI si pionier i kësaj teme për drejtësi konsideron se është i domosdoshëm ligj. Vetingu i shkallës së parë është me qëllim të verifikohet integriteti i personave me funksion publik dhe nëse vërtetohet se diçka nuk është në rregull, atëherë vetingu i shkallës së dytë të mos ketë gjueti shtrigash por të dimë se çka bëjmë dhe çka duam të arrijmë”, ka thënë Grubi.

I pyetur se cili është qëndrimi i BDI-së lidhur me interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për amnisti, Grubi ka thënë se assesi nuk është biseduar rreth asaj çështje.

“Mbetet që ajo çështje të debatohet në Kuvend si dhe në Gjykatën Kushtetuese. Personalisht konsideroj se ka ardhur koha që politika sa më pak të përzihet në gjyqësi dhe gjyqësia sa më pak të përzihet në politikë dhe të gjithë ta kryejnë punën e tyre konform Kushtetutës dhe ligjit. Konsideroj se duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit”, ka thënë Grubi.

Në Kuvend, ka shtuar ai, kuptohet se do të debatohet dhe në fund do të votohet.