Sabit Bilali flet para ndeshjes me Akademia Pandevin

Bilali

FC Shkupi nesër në Çair do të pret sërish Akademia Pandev, por kësaj radhe në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Shkupjanët kanë lënë mbrapa vetes ndeshjen e fundit në kampionat dhe këto dy ditë janë përqëndruar për takimin ndaj ekipit nga Strumica. Edicioni i Kupës këtë vit është një nga objektivat kryesore të bardhebluve dhe synimet janë të mëdha.

“Na pret ndeshja e parë çerekfinale e Kupës ndaj një ekipi të fortë si Akademia Pandev. Kompeticioni i Kupës këtë edicion është shumë i rëndësishëm për ne  dhe pretendojmë të luajmë sa më gjatë. Takimin e parë të kësaj faze e luajmë në stadiumin tonë në Çair dhe pranë publikut tonë, që do të jetë një motiv shtesë për të fituar ndeshjen, por më e rëndësishmja është që të mos pranojmë gol. Ditëve të fundit kemi pasur orar të ngjeshur me ndeshje në mësjavë dhe fundjavë, por mendojë se si ekip jemi të përgatitur dhe besoj do t’ia dalim për të triumfuar në këtë duel, që në atë të kthimit të shkojmë pa presion dhe të marrim kualifikimin për në gjysmëfinale”, tha Sabit Bilali për kanalin zyrtar të klubit.

Në përballjet me Akademia Pandevin në këtë sezon, Shkupi ka bilanc pozitiv, ku në dy takimet e zhvilluara në kuadër të kampionatit, kanë marrë një barazim në Strumicë dhe fitore në Çair.

Takimi FC Shkupi vs Akademia Pandev do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin e Çairi, duke nisur nga ora 13:00.