Dalëngadalë transporti hekurudhor po shuhet, gjithnjë e më pak pasagjerë me trena

hekurudha-shkup

Hekurudhat e RMV – Transporti në nëntë muajt e parë të këtij viti ka transportuar 401.000 pasagjerë, që është pothuajse i njëjti numër i qytetarëve që kanë udhëtuar me tren edhe vitin e kaluar. Trafiku hekurudhor i pasagjerëve ka rënë në minimum, ndërsa të dhënat nga Zyra e Statistikave Shtetërore tregojnë se në tremujorin e tretë të këtij viti, vetëm 124,000 pasagjerë kanë udhëtuar me tren, shkruan Meta.mk, transmeton Sharri.info

Rezultatet negative në përdorimin e hekurudhës po përsëriten disa vite me radhë. Megjithatë, situata është më e keqja në pesë ose gjashtë vitet e fundit, kur numri i qytetarëve që udhëtojnë me tren ka rënë në nën një milion pasagjerë në vit. Tendenca në rënie e përdorimit të hekurudhave ka ndaluar, pasi numri i pasagjerëve këtë vit është i njëjtë me vitin e kaluar. Por, numri i trenave që qarkullojnë është ulur për dy çifte me mos qarkullimin e ekspres trenave Shkup – Manastir – Shkup dhe Beograd – Shkup – Selanik gjatë gjithë vitit aktual.

Shuarja e trafikut hekurudhor për pasagjerë është një trend që pritet të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm. Drafti i orarit për vitin 2020 parashikon një tren më pak çdo ditë në relacionin Shkup – Veles – Shkup dhe tashmë është pothuaj e sigurt se vitin e ardhshëm nuk do të qarkullojë as ekspres treni ndërmjet Shkupit dhe Manastirit.

Ministria e transportit dhe lidhjeve me buxhetin e parashikuar për vitin 2020 planifikon të ndajë 430 milion denarë për subvencionimin e trafikut hekurudhor të pasagjerëve, por nga Enti shtetëror i auditimit dhe Hekurudhat e RMV-së – Transporti konsiderojnë se është shumë pak për të mbuluar të gjitha shpenzimet për të siguruar shërbim publik cilësor për qytetarët.

Numri i pasagjerëve të transportuar me hekurudhë vitet e kaluara është ulur për 12 herë në krahasim me vitet ’80-ta të shekullit të kaluar. Në ish-Jugosllavi, transporti hekurudhor i pasagjerëve në vend ka regjistruar midis 5 dhe 7 milionë pasagjerë në vit.