Shpallet i pabanueshëm pallati i VIP-ave në Durrës, kush ka jetuar aty

pallati40

Edhe pse supozohet të ishte një ndër objektet më të sigurta në qytetin bregdetar, pasi aty strehoheshin personazhe të njohura të atyre viteve, pallati 5-katësh që ndodhet në qendër të Durrësit është dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Ai ndodhet në Rrugën Tregtare dhe është shpallur i pabanueshëm, pasi ka pësuar dëmtime në strukturë dhe fasadë.

Mësohet se pallati që do të shembet është ndërtuar në vitet ’80 dhe nga tërmeti i fundit pësoi dëmtime të konsiderueshme, duke u shpallur i pabanueshëm.

Në këtë pallat kanë banuar këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, aktori Fadil Hasa, por edhe drejtues institucionesh të asaj kohe, hetues dhe prokurorë.

Ky pallat konsiderohej më i miri dhe më luksozi në ato vite, për vetë planimetrinë e brendshme, ku kishte një hapësirë të konsiderueshme.

Edhe pse Parashqevi Simaku ka 27 vjet që ka emigruar në SHBA, ai njihet si pallati i Parashqevisë.

Ndryshe nga hetuesit e prokurorët që urreheshin masivisht nga qytetarët durrsakë, Parashqevi Simaku adhurohej jo vetëm për zërin, por edhe për bukurinë e saj. Ndaj dhe pallati në fjalë, edhe sot e kësaj dite njihet si pallati i Parashqevi Simakut.